Italia udhëheq përpjekjet për të kundërshtuar statusin “e dorës së dytë” për anëtarët e rinj të BE-së
Italia dhe shtatë vende të tjera që mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kanë kundërshtuar nismën franko-gjermane dhe të vendeve të Beneluksit për të vendosur masa të reja dhe kufizuese ligjore në traktatet e anëtarësimit për vendet e ardhshme anëtare, transmeton Euractiv.
Një dokument diplomatik i muajit të kaluar – i propozuar nga Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu – sugjeronte vendosjen e kufizimeve të përkohshme për shtetet e reja anëtare, duke ua ndaluar pjesëmarrjen në vendimmarrje për çështje të buxhetit, sigurisë dhe politikës së jashtme.
Italia, së bashku me Austrinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Hungarinë, për herë të parë kanë reaguar kundër kësaj qasjeje përmes grupit të njohur si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
“Dokumenti kundërshton çdo qasje që mund të krijojë perceptimin e kandidaturave ose anëtarësimit të ‘dorës së dytë’”, thuhet në tekst, duke kërkuar “zbatimin e njëtrajtshëm të procedurave të negociatave për të gjithë kandidatët, pa marrëveshje të përshpejtuara ose rrugë paralele”.
“Kërkesat e reja, parakushtet politike ose hapat shtesë institucionalë duhet të shmangen, pasi ato do t’i dekurajonin kandidatët dhe do ta dobësonin ndikimin e Bashkimit Evropian në fqinjësinë e tij”, thuhet më tej.
Grupi i vendeve, të cilat kanë lidhje historike ose marrëdhënie të afërta me Ballkanin, pranon “legjitimitetin e klauzolave mbrojtëse, masave kalimtare dhe mekanizmave të monitorimit pas anëtarësimit”, por vetëm nëse ato janë “të bazuara në nevoja objektive, proporcionale, të qëndrueshme ligjërisht dhe në përputhje me arkitekturën e përgjithshme institucionale të Unionit”.
“Kuadri mbrojtës duhet të bazohet në një katalog instrumentesh që marrin parasysh përvojën e zgjerimeve të mëparshme dhe të përditësohen në dritën e sfidave aktuale, me fleksibilitet për t’iu përshtatur rrethanave specifike të secilit vend kandidat”, thuhet në dokument.
Dokumenti i fundit jozyrtar (“non-paper”) vjen në një periudhë me shumë propozime para Këshillit Evropian të tetorit, ku liderët pritet të diskutojnë qasjen e BE-së ndaj zgjerimit. Ndërkohë, procesi i anëtarësimit për shumë vende të Ballkanit Perëndimor, si Serbia, po zgjatet.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka kërkuar që BE-ja të ruajë “barazinë e shteteve anëtare me rastin e anëtarësimit” dhe “mungesën e kërkesave ose kushteve të reja”, duke ruajtur njëkohësisht “një kornizë të përbashkët të përshtatur për secilin vend kandidat”.
“Ne jemi të bindur për nevojën që t’i japim përparësi politike ribashkimit të familjes evropiane me Ballkanin”, tha ai të premten e kaluar.