Kavadar, dënime me kusht për një person që helmonte kafshët dhe shpërndau helm në zonë publike

Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ka dorëzuar propozim për dhënien e urdhërit penal kundër një 32-vjeçari, banor i fshatit Glishiq, i akuzuar për shkaktim të rrezikut publik dhe torturim të kafshëve, sipas dispozitave të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, më 9 nëntor ai ka prerë disa copa sallami, i ka spërkatur me preparat toksik, i ka futur në qese si karrem dhe i ka lënë jashtë oborrit të pa rrethuar të një shtëpie familjare.

“Edhe pse ishte i vetëdijshëm se në shtëpi jetonin katër familje dhe gjithmonë kishte frekuencë të lartë të njerëzve, si dhe se mund të ndodhte pasojë e dëmshme nga veprimet e tij, ai përsëri pretendoi se mund të parandalonte pasojat e dëmshme ose se nuk do të ndodhnin, kështu që në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve”, thuhet në njoftim.

Karremet me helm i hëngri një qen pa pronar, i cili u helmua dhe ngordhi.

Meqenëse i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë dhe është shprehur i penduar për atë që ka bërë, Prokuroria i ka paraqitur gjykatës propozimin për dënim me kusht me burgim të caktuar, i cili nuk do të zbatohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re brenda afatit të caktuar, si dhe dënim prej 30 gjobave ditore me vlerë individuale të gjobës ditore prej 10 euro në kundërvlerë në denarë.