RMV, takimi i liderëve do të zhvillohet të hënën në ora 12, në fokus data e zgjedhjeve

Takimi i paralajmëruar i liderëve të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të hënën në orën 12:00. Kështu njoftuan përmes një komunikate për media nga LSDM-ja, të cilët ironizojnë se kjo do t’ia prishë agjendën kreut të VMRO-së Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Na vjen keq që do të na duhet t’ia prishim agjendën Hristijan Mickoskit, i cili duket, siç konfirmojnë nga DPMNE-ja e tij, punon vetëm dy orë gjatë ditës, nga ora 09-11. Mbledhja e datës 4 dhjetor 2023 do të mbahet të hënën në orën 12.00”, konfirmuan nga LSDM-ja.

Ndërkohë në konferencën e sotme për media, zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a është marrë ftesë zyrtare për takimin e liderëve të hënën dhe nëse lideri Mickoski do të marrë pjesë dhe nëse do të insistojë për heqjen e qeverisë teknike, duke theksuar se takimi i liderëve është i pranueshëm për të hënën, në të cilin VMRO-DPMNE pret që përfundimisht të diskutohet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, pranimin e vërejtjeve të OSBE/ODIHR-it, si dhe ofertën për shfuqizimin e qeverisë teknike.

“Nga media mësuam se kryeministri Kovaçevski për të hënën e cakton takimin e liderëve që ka të bëjë me zgjedhjet. Një komunikim i tillë përmes mediave për çështje kaq të rëndësishme është zgjedhja e tij. Është sigurisht i pranueshëm një takim liderësh për të hënën, në të cilin presim të diskutojmë përfundimisht për saktësimin e datës së zgjedhjeve, pranimin e vërejtjeve të OSBE/ODIHR-it, si dhe ofertën për shfuqizimin e qeverisë teknike, në këmbim të mospasjes së kryeministrit teknike nga BDI. Në të njëjtën kohë, meqë është vendosur që të komunikohet përmes mediave, kërkojmë që takimi të bëhet pas orës 11:00 të së hënës, pasi kryetari i VMRO-DPMNE-së ka mësime me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, ku punon si profesor me kohë të plotë”, theksoi Miteva.

Se takimi i kryeministrit me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve, do të mbahet në Kuvend në dhjetor, e paralajmëroi më 23 nëntor vetë lideri i LSDM-së në pushtet, Dimitar Kovaçevski.

Në takim duhet të bisedohet për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024 dhe do të jetë në nivel liderësh në formatin që ishte në takimin e kaluar të liderëve të partive parlamentare,.

“Zgjedhjet do të jenë në terminin e rregullt edhe ato presidenciale edhe ato parlamentare, ndërsa saktë kur do të mbahen varet nga afatet dhe për këtë unë thash se maji ofron mundësi për mbajtje edhe të zgjedhjeve presidenciale edhe të atyre parlamentare. Atë e konfirmuan edhe një sërë liderësh tjerë të partive dhe kryetari i Kuvendit, i cili kujdeset për afatet dhe për këtë kur të përfundojë ai takim në përputhje me qëndrimet e të gjitha partive politike, sepse ai vendim miratohet me konsensus të gjerë politik ai vendim do të mund të kumtohet”, tha Kovaçevski.

Ai tha se, nuk ka disponim te të gjitha partitë politike për shfuqizim të qeverisë teknike, duke pasur parasysh afatin e shkurtër deri në zgjedhje.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.