Jimmy Kimmel dhe MAGA e Trump-it: Mediat nën presion

Vdekja e Robert Redford këtë javë e shënoi jo vetëm ndarjen nga jeta të një legjende të filmit, por edhe fundin e një epoke në Hollywood që dikur konsiderohej si ndërgjegjja progresive e Amerikës. Redford mishëroi një vizion liberal të industrisë amerikane të filmit që promovonte zëra të pavarur dhe perspektiva kritike sociale. Por kohërat kanë ndryshuar. Shenjat e një zhvendosjeje kah e djathta në industrinë amerikane të argëtimit po rriten. Kjo, ndër të tjera, vihet re në reagimet e mediave amerikane ndaj vrasjes së aktivistit ultrakonservator Charlie Kirk. Të mërkurën (17.09), ABC njoftoi se po e pezullon shoun e famshëm të Jimmy Kimmel “për një kohë të pacaktuar”, raporton Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Arsyeja për këtë veprim ishin deklaratat e Kimmel që sugjeronin se vrasësi i dyshuar mund të ketë qenë pjesë e të ashtuquajturës lëvizje MAGA të presidentit amerikan. Akronimi qëndron për “Make America Great Again”. Ky veprim pasoi pasi Brendan Carr, kreu i rregullatorit mediatik FCC, kërcënoi të ndërmerrte veprime kundër ABC-së.

Foto printscreen nga emisioni “Jimmy Kimmel Live”/Youtube
Foto printscreen nga emisioni “Jimmy Kimmel Live”/Youtube

Vetëm disa javë më parë transmetuesi rival CBS njoftoi se do ta anulojë shoun e Stephen Colbert për arsye financiare.

David Ellison: Manjati mediatik Paramount bashkohet me Trump-in

Por, koha e anulimit të shout të Stephen Colbert ka ngritur shumë pyetje. Në muajin korrik departamenti  CBS i Paramount i pagoi Donald Trump-it  16 milionë dollarë (13,5 milionë euro) për të zgjidhur një padi në lidhje me një intervistë nga viti 2024 me Kamala Harris në “60 Minutes”. Trump pretendoi se rrjeti e kishte modifikuar intervistën për ta bërë Harris-in të dukej më mirë, pretendim ky të cilin CBS e ka mohuar vazhdimisht.

CBS e anuloi shoun e Colbert pasi prezantuesi e quajti pagesën një “ryshfet të majmë”. Edhe pse javën e kaluar Colbert mori çmim Emmy për shoun e tij – një nga çmimet më prestigjioze televizive në SHBA  – nga muaji maj i vitit 2026 nuk do të transmetohet më.

Ka edhe spekulime të tjera: David Ellison – djali i miliarderit të Oracle, Larry Ellison, personi i dytë më i pasur në botë dhe një aleat shumëvjeçar i Trump-it – pas blerjes të Paramount për 8 miliardë dollarë mund t’ia vërë syrin një perle tjetër të Hollivudit: Warner Bros. Discovery. Një veprim i tillë do i kombinonte pronat e Paramount, duke përfshirë këtu CBS-in dhe franshizat “Mission: Impossible” dhe Ѕtar track“, me ato të Warner: DC Studios (“Superman,” “Batman”), CNN dhe HBO.

Donald Trump. Foto e marrë nga profili i tij në Facebook
Donald Trump. Foto e marrë nga profili i tij në Facebook

Në kohë të tjera një marrëveshje e tillë do të kishte ngritur shqetësime serioze kundër çështjes së monopolizimit. Por nën udhëheqien e Trump-it, rregullatorët e kanë ndryshuar fokusin e tyre: zyrtarët tani po e shqyrtojnë me kujdes “neutralitetin” politik në vend, e jo përparësitë konkurruese.

Ellison tashmë ka treguar gatishmëri për të pranuar agjendën e Trump-it. Ai e emëroi liderin e Think-Tank-ut konservator dhe këshilltar të Trump-it, Kenneth Weinstein, për ombudsman të CBS News  dhe ka biseduar me Bari Weiss, themeluese e “Anti-Woke” (woke – “i zgjuar, i kujdesshëm“, përshkruan një vetëdijësim për mungesën e të drejtave të pakicave, drejtësisë sociale dhe ekzistimin e racizmit) kompanisë mediatike The Free Press, rreth një pozicioni të mundshëm në CBS.

Një sërë padish për shpifje

Paramount nuk është e vetmja kompani që me sa duket se po i përulet aktorëve të fuqishëm të krahut të djathtë. Pak kohë më parë ABC News pranoi të paguajë 15 milionë dollarë për ta zgjidhur një padi për shpifje lidhur me komentet  kundër Trump-it të bëra nga prezantuesi George Stephanopoulos. “Wall Street Journal dhe New York Times vazhdojnë të përballen me padi të ngjashme  prej shumë miliarda dollarëve të ngritura nga Trump-i.

Vendimi i ABC-së për të hequr dorë nga Kimmel ka edhe arsye afariste. Nextar, e cila zotëron dhjetëra degë të ABC-së, për momentin është duke realizuar mega-fuzion që do ta bënte atë transmetuesin më të madh në SHBA. Por, për realizimin e këtij bashkimi nevojitet miratimi i qeverisë.

Kritikët paralajmërojnë se rrjetet televizive, studiot dhe shërbimet e transmetimit janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj programeve që mund të shkaktojnë zemërim tek presidenti.

Gjigandët mediatikë heqin dorë nga “woke”

Në muajt pas rizgjedhjes së Trump-it studiot e mëdha kinematografike heshtazi i kanë shkurtuar programet për diverzitetin, barazinë dhe inkluzionin (DEI). Disney i riemëroi iniciativat e tij kulturore, ndërsa Amazon dhe Paramount i fshinë qëllimet për punësim dhe trajnim që dikur ishin të lidhura me DEI. Ndryshimet pasuan pas urdhrit ekzekutiv të Trump me të cilin eliminohen programet federale DEI dhe vendosen rregullore më rigoroze për kompanitë që i mbajnë ato.

Evident është edhe ndryshimi i programacionit. Amazon po paguan plot 40 milionë dollarë për dy dokumentarë nga dhe rreth Melania Trump-it, përfshirë këtu edhe atë në regji të Brett Ratner, regjisor dhe producent i cili u përball me akuza për sulm seksual si pjesë e lëvizjes #MeToo. Përveç kësaj, sërish po transmeton shtatë sezonet e para të “The Apprentice”, reality show me protagonist Trump-in që e bëri atë një emër të njohur në Amerikë.

Përmbajtje konservatore pa fund

Ndryshimi konservator në Hollywood filloi që para mandatit të dytë të Trump-it. Neovesterni  “Yellowstone” i Taylor Sheridan dhe spinoff programet e tij – seriale të ngjashme me telenovelat në terminet më të shikuara, botëkuptimi i të cilave përputhet më shumë me klasën e mesme në Amerikë sesa me atë të qyteteve bregdetare – u bënë franshiza miliarda dollarëshe edhe pse u injoruan nga çmimet Emmy.

Edhe filmat dhe serialet televizive me tematikë të krishterë po përjetojnë një rilindje. “Angel Studios”, një kompani për produksion që “anon kah feja” me seli në Utah, u bë një lojtar i rëndësishëm. Filmi i saj “Sound of Freedom”, me protagonist James Caviezel të “The Passion of the Christ”, ka fituar 250 milionë dollarë në mbarë botën. “King of Kings”, një film i animuar për jetën e Jezusit, ka fituar edhe 77 milionë dollarë të tjerë. Javën e kaluar “Angel Studios” doli në bursë.

Në projektet e saj të ardhshme bën pjesë “Zero A.D.”, një thriller epik biblik, dhe “Young Washington”, një vështrim patriotik i viteve të para të presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara.

Por, ky orientim i ri nuk udhëhiqet vetëm nga arsye ideologjike. Edhe faktorët ekonomikë luajnë një rol vendimtar. Të ardhurat e kinemave nga shitja e biletave janë ende nën nivelet para Covid-it. Streaming-u e ka shkatërruar biznesin e DVD-ve, i cili ishte një burim i rëndësishëm të ardhurash për studiot dhe e ka shkatërruar industrinë e televizionit kabllovik. Në kërkim të dëshpëruar për fitime Hollywood-i po kërkon projekte të lira, por të sigurta.

Filmat dhe serialet me prirje fetare dhe konservatore, shpesh të prodhuara lirë dhe pa yje të listës A, mund të garantojnë audiencë besnike dhe marzhe më të larta fitimi. Edhe reklamuesit preferojnë përmbajtje ku shmangen temat polarizuese.

Robert Redford dikur mishëronte idenë se Hollywoodi mund ta sfidonte pushtetin shtetëror. Sot, industria e filmit duket më pak e interesuar të përballet me sfida, ndërsa më shumë e interesuar që të mbijetojë – e kjo mbijetesë për momentin me sa  duket do të thotë që t’i bashkohesh ideologjisë MAGA të Trump-it.