Kandidatja e VLEN-it ka dhënë dorëheqje
Xhihan Ahmed, e cila është kandidate për anëtare në Komisionin për diskriminim, ka dhënë dorëheqje nga gara, transmeton Kurir, përcjell Portalb.mk.
Në seancën publike dëgjimore të mbajtur më 20.01.2026, megjithëse ka një diplomë masteri në të drejtën ndërkombëtare, ajo nuk arriti të demonstrojë njohuri themelore të Konventës së Stambollit – dokumenti kyç strategjik për mbrojtjen e grave nga dhuna. Kur u pyet për themelet e kësaj konvente, ajo dha një përgjigje në një kontekst historik, duke folur për qytetin e Stambollit dhe periudhën e Ataturkut, në vend që të fliste për mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga diskriminimi.
Ligji përcakton që një anëtar i Komisionit duhet të ketë të paktën shtatë vjet përvojë pune në fushën e të drejtave të njeriut, pesë prej të cilave konkretisht në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Një shqyrtim i CV-së së Ahmedit, e cila është në dispozicion publikisht, tregon se ajo nuk ka asnjë ditë përvojë pune në këtë fushë. Përvoja e saj e mëparshme është në kompani private, si asistente universiteti dhe profesoreshë në shkollë të mesme, me fokus në sigurinë e korporatave, gjë që nuk është e përshtatshme për këtë pozicion.
Ndryshe, në vend që të fliste për Konventën e Stambollit, dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe barazinë gjinore, kandidatja partiake për Komisionin kundër Diskriminimit, Xhihan Ahmed, gjatë intervistës publike foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut, duke shkaktuar reagime të ashpra dhe dyshime serioze për profesionalizmin, kompetencën dhe politizimin e këtij institucioni të pavarur.
Ajo është parë edhe në fushatën zgjedhore të VLEN-it dhe në aktivitete partiake, ndërsa është anëtare e Kryesisë së Forumit të Gruas të Lëvizjes Demokratike.