Kallëzim penal ndaj katër të miturve dhe pesë prindërve për sulmin ndaj vajzës 12-vjeçare në Aerodrom
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se është zbardhur plotësisht rasti i sulmit fizik ndaj një vajze 12-vjeçare, i cili ndodhi më 30 qershor në një park në komunën e Aerodromit, në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, Njësia për Punë Kriminalistike Aerodrom dhe Draçevë, në koordinim me Njësinë për Punë Kriminalistike Kisella Vodë, ka paraqitur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër katër të miturve dhe pesë prindërve.
Kallëzime penale për veprën “dhunë” janë ngritur ndaj dy vajzave të mitura. Ndaj një të mituri është ngritur kallëzim për “nxitje” lidhur me veprën e dhunës, si dhe për “incizim të paautorizuar”, ndërsa ndaj një tjetër të mituri është ngritur kallëzim për “incizim të paautorizuar”.
Gjithashtu, kallëzime penale janë paraqitur edhe ndaj pesë prindërve – I.V., M.V., M.P., I.A. dhe I.A. – për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “neglizhim dhe keqtrajtim i fëmijës”.
Rasti ka të bëjë me incidentin në të cilin vajza 12-vjeçare u sulmua fizikisht nga disa vajza të mitura, ndërsa të mitur të tjerë të pranishëm e incizuan ngjarjen me telefona celularë.
Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.
- LEXO: Dhuna midis të rinjve sa vjen e rritet, masa kujdesi ndaj tre të dyshuarve për dhunë ndaj një të mituri në Shkup
- LEXO: Janevska: Dhuna nuk fillon në shkollë, por më shpesh në familje
- LEXO: Janevska: Gjobë prej 250 eurosh për prindërit, fëmijët e të cilëve ushtrojnë dhunë në shkollë
- LEXO: Mjeku Merxhanoski për gjendjen shëndetësore të nxënësit që u plagos në Hasanbeg të Shkupit: “Stabile, por me rrezik për jetë”