Dhuna midis të rinjve sa vjen e rritet, masa kujdesi ndaj tre të dyshuarve për dhunë ndaj një të mituri në Shkup
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup caktimin e masave të kujdesit ndaj tre personave të dyshuar për ushtrim dhune ndaj një fëmije të lindur në vitin 2011, në një park në lagjen Maxhari, transmeton Portalb.mk.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 22 qershor, kur të dyshuarit dyshohet se e kanë sulmuar të miturin duke e goditur me grushte dhe shqelma, ndërsa i kanë shkaktuar edhe prerje me thikë në trup.
Masat e propozuara përfshijnë ndalimin e largimit nga vendbanimi ose vendqëndrimi, detyrimin për paraqitje të rregullt pranë autoriteteve kompetente, konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, ndalimin e vizitës në vendin ku ndodhi ngjarja, si dhe ndalimin e çdo kontakti me të miturin e dëmtuar dhe prindërit e tij.
Prokuroria njofton se hetimet po vazhdojnë, ndërsa janë duke u kryer ekspertiza të gjurmëve të siguruara dhe veprime të tjera për grumbullimin e provave.
Kujtojmë se Sektori i Punëve të Brendshme Shkup më 3 korrik, ngriti një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër J.J. (19), V.S. (23) dhe V.A. (19), të gjithë nga Shkupi, për dyshimin se kanë kryer veprën penale “dhunë ndaj fëmijës” sipas nenit 201-a të Kodit Penal.
Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, më 22 qershor të këtij viti, rreth orës 23:50, në rrugën Finska, në një park, tre të dyshuarit sulmuan fizikisht një të mitur 14-vjeçar. Gjatë sulmit, ata përdorën një objekt të fortë dhe i shkaktuan lëndime me një objekt të mprehtë.
Zyrtarët e policisë shkuan në vendin e ngjarjes, ku u gjet thika që dyshohet se është përdorur në kryerjen e krimit. Thika u sekuestrua dhe u dorëzua për ekspertizë.
Pas masave të marra, të dyshuarit u privuan nga liria, pas së cilës u krye një intervistë zyrtare me ta. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre janë ngritur kallëzime penale.
Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.
- LEXO: Janevska: Dhuna nuk fillon në shkollë, por më shpesh në familje
- LEXO: Janevska: Gjobë prej 250 eurosh për prindërit, fëmijët e të cilëve ushtrojnë dhunë në shkollë
- LEXO: Mjeku Merxhanoski për gjendjen shëndetësore të nxënësit që u plagos në Hasanbeg të Shkupit: “Stabile, por me rrezik për jetë”
- LEXO: Prokuroria në Shkup filloi procedurë ndaj 4 të miturve për dhunimin e 13-vjeçares në Gjorçe Petrov
- LEXO: MPB ngriti kallëzime penale kundër prindërve të të miturve që sulmuan vajzën në Gjorçe Petrov