Jurisprudenca në shqip: Studentët në mbrojtje të gjuhës, filloi fushata e mbishkrimeve në disa qztete
Pasi çështja që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe nuk po merr epilog, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë filluar të shpërndajnë pankarta me mbishkrime se do t’i shkojnë deri në fund kësaj nisme, transmeton Portalb.mk.
Mbishkrimet ‘Gjuhën e kemi amanet” dhe “E drejta nuk negociohet” janë shfaqur në Shkup, Tetovë Gostivar, Kumanovë dhe Kërçovë.
Studentët për Portalb.mk paralajmërojnë se janë duke përgatitur protestë.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Studentët kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në vend.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por kanë parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Provimi i jurisprudencës: Ministria e Drejtësisë e sfidon Inspektoratin e Gjuhëve dhe refuzon shqipen, pavarësisht shkeljeve të konstatuara
- LEXO: Inspektorati i Gjuhëve me vërejtje kundër ministrit të Drejtësisë: Nuk e lejoi provimin e jurisprudencës në shqip, ja çfarë duhet të bëjë (Dokument)
- LEXO: Jurisprudenca në shqip: Avokati i Popullit i propozoi Qeverisë të bëjë ndryshime ligjore (Dokument)