Jurisprudenca kaloi në debat politik: Mickoski thotë se BDI i gënjeu shqiptarët me Ligjin për gjuhët, BDI: Qeveria ta zbatojë ligjin, jo ta politizojë
Kërkesa e studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase duke u thirrur në Ligjin për përdorimin e gjuhëve ka kaluar edhe në rrafshin politik. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se problemi me gjuhët për provimin e jurisprudencës është problem i trashëguar dhe se BDI-ja me sjelljen e ligjit për gjuhët dhe i gënjeu shqiptarët. Nga BDI thonë se përpjekja për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve, raporton Portalb.mk.
Duke folur mbi këtë çështje, Mickoski tha se ka dilema dhe se ligji për gjuhët është ligj i përgjithshëm, ose në drejtësi lex generalis, kurse Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës është ligj special ose lex specialis. Sipas tij, nuk mundet që në mënyrë automatike me lex generalis, të mbisinkronizoni lex specialis.
“Problemi i dytë është se zotërinjtë që e miratuan Ligjin për gjuhët i mashtruan shqiptarët dhe këta të rinj që tani po protestojnë. Pse i mashtruan? Sepse në mënyrë të qartë në mendimin e Komisionit të Venecias thuhet se duhet të braktiset bilinguizmi në sistemin gjyqësor”, tha Hristijan Mickoski.
Ai shtoi se kanë formuar një grup pune në kuadër të Qeverisë që po punon dhe analizon nëse është e mundur ligjërisht dhe kushtetutshmërisht që dhënia e provimit të jurisprudencës të ndahet nga gjykimi brenda sistemit gjyqësor të shtetit.
“Nëse arrijmë të gjejmë një metodologji dhe mënyrë që të sigurojë barazi për të gjithë ata që e japin provimin e jurisprudencës, dhe njëkohësisht të mos kemi interpretime të ndryshme të vendimeve gjyqësore për shkak të bilinguizmit, pra nëse pranojmë që maqedonishtja është gjuha që do të mbizotërojë në sistemin gjyqësor, atëherë mendoj se shumë shpejt do të gjejmë një zgjidhje. Por përsëri do ta them, ky është një problem i trashëguar nga të njëjtët që kanë qenë në pushtet për 20 vite dhe nuk arritën të gjejnë mënyrë se si ta zgjidhin”, tha Mickoski.
Sipas BDI-së, deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është “problem i trashëguar” është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si “problem” apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit”, thanë nga BDI.
Ata thonë se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
“Qeveria ka obligim të zbatojë ligjin, jo ta relativizojë atë përmes arsyetimeve politike. Çdo vonesë apo pengesë në realizimin e kësaj të drejte përbën një hap prapa për barazinë dhe për standardet demokratike të shtetit. Republika e Maqedonisë së Veriut është ndërtuar mbi parimin e barazisë ndërmjet komuniteteve dhe respektimit të të drejtave gjuhësore. Këto parime nuk janë të negociueshme dhe nuk mund të trajtohen si “probleme të trashëguara”, por si obligime që duhet të zbatohen”, thanë nga BDI.
Ndryshe, studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut më 26 shkurt kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet. Ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në RMV u bashkuan për realizimin e provimi të jurisprudencës
- LEXO: Ministria e Drejtësisë insiston, shqiptarët s’mund ta japin jurisprudencën në gjuhën e vet
- LEXO: ANALIZË: E drejta që s’u zbatua, pse provimi i jurisprudencës nuk lejohet në shqip?