“Jo” fushatave qeveritare në media dhe keqpërdorimit të flamurit të “BE”-së në Parlament

Sot, shoqatat profesionale të gazetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile nga sektori i mediave përmes një kumtese deklaruan se kundërshtojnë kategorikisht përpjekjet e fundit për të rikthyer reklamat shtetërore në media. Ata thonë se është keqpërdorur procedura parlamentare për miratimin e ndryshimeve në ligj me procedurë të shkurtuar, duke qenë se reklamat shtetërore nuk kanë të bëjnë me reformat e nevojshme që i duhen shtetit për të hyrë në Bashkimin Evropian (BE), shkruan Portalb.mk.

“Shprehim shqetësimin për mënyrën se si është keqpërdorur procedura parlamentare për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele (LSHMAA) me procedurë të shkurtuar. Përdorimi i instrumentit “flamuri europian” vlerësojmë se në këtë rast nuk është i lejueshëm, sepse ndryshimet e propozuara nuk kanë asnjë lidhje me reformat e nevojshme që duhet të çojnë në harmonizimin e ligjeve për mediat në vend me rregulloret e Bashkimit Evropian” shkruajnë ato në kumtesë.

Qëndrimi i tyre, thonë ato, vjen nga vlerësimi i ekspertëve se ndryshimet e propozuara do të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për pluralizmin mediatik, pavarësinë e mediave dhe lirinë e gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë në Maqedoni.

“Paralajmërojmë se futja e reklamave qeveritare në mediat private në Maqedoni do të thotë kthim në praktikat klienteliste dhe korruptive të së kaluarës, me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për pavarësinë e mediave dhe më gjerë për lirinë e shprehjes”, shkruhet në kumtesë.

Ata janë ankuar se nuk janë marrë parasysh kërkesat e profesionistëve të gazetarisë, organizatave ndërkombëtare, madje edhe ekspertëve të pavarur nga BE-ja të angazhuar në procesin e reformave në media.

“Me sistemin e propozuar të shpërndarjes së parave publike vendoset korrupsioni sistematik në sektorin e mediave private dhe në vend të lajmeve cilësore dhe prodhimit të ri të përmbajtjeve vendore, qytetarët (për paratë e tyre) do të përfitojnë reklama të institucioneve shtetërore”, thonë ato.

Shoqatat profesionale të gazetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile nga sektori i mediave shprehin habinë e tyre për shpjegimin e Azir Aliut se ndryshimet e propozuara janë në përputhje me ligjin dhe standardet e BE-së si dhe me partitë politike që më herët vetë i kanë kritikuar këto politika në sektorin mediatik në Raportin e Misionit për vlerësimin e situatës me lirinë e mediave në vendit, ku është theksuar se “fushatat reklamuese qeveritare mbartin me vete rreziqe të mëdha për cenimin e pavarësisë redaktuese”.

Ato propozojnë që, sipas raportit të lartpërmendur dhe rekomandimeve të ekspertëve të BE-së, të krijohet një Fond për pluralizim në media.

“Në këtë raport, si dhe në rekomandimet e ekspertëve të BE-së, theksohet se mbështetja financiare më e përshtatshme për mediat në kontekst mediatik kombëtare është krijimi i një Fondi për pluralizmin në media, për të cilin ekzistojnë disa modele të suksesshme në Evropë”, shkruajnë ato.

Ndryshimet në LSHMAA janë miratuar pardje me 78 vota “pro” të deputetëve dhe me ndryshimet e propozuara , të cilat janë në shqyrtim nga deputetët, sërish do të mundësohet dalja e miliona eurove nga buxheti i shtetit për organizimin e fushatave qeveritare dhe komunale në televizione dhe radio.

Fondet për transmetimin e fushatave shtetërore do të shpërndahen në atë mënyrë që 65% e fondeve do të drejtohen çdo vit për pesë televizionet private kombëtare “Telma”, “Kanal 5”, “Sitel”, “Alfa” dhe “Alsat-M”. Më pas, 25% e fondeve do të ndahen për televizionet që transmetojnë me satelit dhe radio në nivel shtetëror.

Pjesa e mbetur prej 10% e fondeve vjetore për fushatat shtetërore do të drejtohet për transmetimin e tyre në televizionet rajonale dhe lokale.

Por nuk është vetëm qeveria që do të japë para nga buxheti i shtetit në media për reklama. Në ndryshimet ligjore, propozohet që komunat të mund të realizojnë maksimumi katër fushata shtetërore në nivel lokal gjatë një viti.

Shoqatat profesionale të gazetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile nga sektori i mediave thonë që është zgjedhur e vetmja mënyrë joefektive dhe e papranueshme për përmirësimin e situatës në sferën mediatike.