RMV, partitë u bashkuan për të miratuar ligjin për t’u dhënë para televizioneve me të paktën 2.3 milionë euro në vit nga buxheti

Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, të cilat janë në shqyrtim nga deputetët, sërish do të mundësohet dalja e miliona eurove nga buxheti i shtetit për organizimin e fushatave qeveritare dhe komunale në televizione dhe radio. Deputetët e të gjitha partive politike, me përjashtim të së Majtës, kanë mbështetur sot nevojën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizive me procedurë të shkurtuar. 78 deputetë votuan “pro” dhe vetëm dy votuan “kundër” nevojës për këto ndryshime ligjore, transmeton Portalb.mk.

“Financimi i fushatave shtetërore në nivel shtetëror sigurohet nga Buxheti në masën 0,1% të të ardhurave tatimore të realizuara të përcaktuara në llogarinë e fundit buxhetore të miratuar”, thuhet në ligjin e propozuar, i cili nëse shuma e buxheti është marrë parasysh do të thotë dalje e disa milionë eurove në vit për fushatat shtetërore.

Njëkohësisht, ndarja e fondeve për fushatat shtetërore në media do të bëhet ekskluzivisht për televizionet, radiostacionet dhe shtëpitë prodhuese për zhvillimin dhe prodhimin e zgjidhjeve konceptuale dhe prezantimet përfundimtare të fushatave shtetërore.

Fondet për transmetimin e fushatave shtetërore në nivel shtetëror do të shpërndahen në atë mënyrë që 65 përqind e fondeve do të drejtohen çdo vit për pesë televizionet private kombëtare “Telma”, “Kanal 5”, “Sitel”, “Alfa”. dhe “Alsat-M”. Më pas, 25 përqind e fondeve do të ndahen për televizionet që transmetojnë me satelit dhe radio në nivel shtetëror.

Pjesa e mbetur prej 10 përqind e fondeve vjetore për fushatat shtetërore do të drejtohet për transmetimin e tyre në televizionet rajonale dhe lokale.

Sipas ndryshimeve ligjore të propozuara, qeveria do të jetë në gjendje të organizojë të paktën një fushatë shtetërore në nivel shtetëror gjatë një viti. Për ndarjen e mjeteve për fushatat shtetërore do të vendosë Komisioni për Vendime për Fushatat Shtetërore, i cili do të përbëhet nga tre përfaqësues të partive politike të shumicës qeverisëse dhe tre përfaqësues të partive politike nga opozita parlamentare.

Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës i paraqet kërkesë palëve që të paraqesin përfaqësuesit e tyre pranë këtij Komisioni, i cili do të formohet me vendim të kësaj ministrie. Ndarja e mjeteve për fushatat shtetërore në media do të vendoset në periudhën 20 janar deri më 5 shkurt, ndërsa mandati i Komisionit zgjat deri në formimin e përbërjes së re parlamentare.

Por nuk është vetëm qeveria që do të japë para nga buxheti i shtetit në media për reklama. Në ndryshimet ligjore, propozohet që komunat të mund të realizojnë maksimumi katër fushata shtetërore në nivel lokal gjatë një viti.

“Vendimin për realizimin e fushatave shtetërore në nivel lokal e merr Këshilli i Komunës, Këshilli i Komunës së Qytetit të Shkupit dhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, jo më vonë se 15 nëntori i vitit aktual për vitin pasardhës, dhe fondet për realizimin e fushatave shtetërore në nivel lokal janë pjesë përbërëse e buxhetit të njësisë së vetëqeverisjes lokale”, thuhet në ndryshimet e propozuara ligjore.

Këshillat komunalë do të mund të formojnë një Komision për vendosjen e fushatave shtetërore në nivel lokal, i cili do të përbëhet nga anëtarë të këshillave dhe përbërja do të korrespondojë me përfaqësimin proporcional të partive politike në këshillat lokal.

Komisioni në nivel lokalmblidhet nga data 20 janar deri më 5 shkurt të vitit kalendarik, ndërsa mandati në nivel lokal zgjat deri në konstituimin e këshillave të rinj komunal.

“Anëtarët e Këshillit mund të paraqesin propozime për tema për fushata shtetërore në nivel lokal në Komisionin në nivel lokal në periudhën nga 1 deri më 20 janar”, thuhet në ndryshimet ligjore.

Në nivel komunal, financimi i fushatave do të jetë i mundur me mjete deri në 0.5 për qind të të hyrave vetanake të realizuara tatimore të përcaktuara me llogarinë përfundimtare të fundit të miratuar. Në të njëjtën kohë, shpërndarja e parave për reklamat komunale do të bëhet deri në 10 për qind për përzgjedhjen e shtëpive prodhuese për zhvillimin dhe prodhimin e zgjidhjeve konceptuale dhe realizimet përfundimtare të fushatave shtetërore në nivel lokal, ndërsa të paktën 90 për qind është për realizimin e këtyre fushatave.

Mjetet në nivel vjetor për fushatat komunale do të dedikohen për transmetim në televizionet kombëtare, rajonale dhe lokale, si dhe në radio në nivel shtetëror, rajonal dhe lokal.

Fushatat e financuara me para publike në nivel kombëtar dhe lokal synonin të kenë transparencë më të madhe gjatë zgjedhjeve, si dhe realizim dhe transmetim më të shpeshtë të tyre me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut, thuhet në ndryshimet e propozuara ligjore nga Qeveria e RMV-së.

Kujtojmë se më 25 janar të këtij viti, ambasadori evropian David Geer paralajmëroi se Maqedonia rrezikon të humbasë qasjen në programet e financimit të prodhimit të përmbajtjeve të BE-së nëse vendi nuk e harmonizon legjislacionin e saj me direktivën e Bashkimir Evropian për media deri më 31 maj 2023, por nuk dihet nëse kjo gjë ka ndodhur.

Draft Raporti i Vlerësimit të Ndikimit Rregullator thekson se Akti aktual i Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale duhet të përputhet me Direktivën e BE-së për Shërbimet Mediatike Audiovizive të miratuar në vitin 2018.