JazzFest Tetova 2026 do të mbyllet sonte me performancën e “Barely Quartet”, festivali që solli jazz-in më afër publikut

Nga 20 deri më 22 maj në Tetovë po mbahet edicioni i vitit 2026 i JazzFest Tetova, festival që këtë vit sjell para publikut një program bashkëkohor muzikor, ku ndërthuren xhazi modern, improvizimi dhe krijimtaria autoriale e muzikantëve vendas, shkruan Portalb.mk.

Edicioni i sivjetmë zhvillohet nën konceptin “Every wall tells a story”, një ide që synon ta nxjerrë muzikën përtej sallës klasike të koncertit dhe ta lidhë atë me hapësirën urbane, kujtesën kolektive dhe jetën e përditshme të qytetit.

Drejtoresha e festivalit, Lejla Halimi për Portalb.mk, tha se ky koncept e sheh xhazin si pjesë të ritmit të qytetit, të njerëzve dhe të energjisë që krijohet mes artistëve dhe publikut. Sipas saj, qëllimi është që festivali të krijojë afërsi më të madhe me publikun, veçanërisht me të rinjtë, duke e prezantuar xhazin në një mënyrë më bashkëkohore, vizuale dhe urbane.

JazzFest Tetova vlerësohet si një ngjarje me rëndësi të veçantë për jetën kulturore të qytetit, pasi kontribuon në decentralizimin e kulturës dhe krijon mundësi që publiku lokal të ketë qasje më të drejtpërdrejtë në përmbajtje artistike cilësore.

Festivali u hap më 20 maj me projektin “Interstellar Transmissions”, në përbërje të Toni Kitanovskit dhe Sasho Popovskit në kitarë, Oliver Josifovskit në kontrabas dhe Aleksandar Sekulovskit në bateri.

Foto nga nata e parë e JazzFest Tetova. Foto: JazzFest Tetova (Facebook)
Foto nga nata e parë e JazzFest Tetova. Foto: JazzFest Tetova (Facebook)

Më 21 maj në program ishte performanca e grupit “Groove Aura”, me Korab Hajdarin në bateri, Faton Stafajn në kitarë, Arsim Iljazin në bas, Artan Mustafën në saksofon, Premtim Etemin në piano dhe Fjolla Jahiun në vokal. Ky projekt synon të krijojë më shumë hapësirë për muzikantët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut në kultivimin dhe promovimin e muzikës jazz.

Foto nga nata e dytë e JazzFest Tetova. Foto: JazzFest Tetova (Facebook)
Foto nga nata e dytë e JazzFest Tetova. Foto: JazzFest Tetova (Facebook)

Sonte në natën përmbyllëse do të paraqitet grupi “Barely Quartet”, me Emil Ejupin në bas gitarë, David Skerlevskin në piano, Teodor Janevskin në bateri dhe Andrej Petrovskin në kitarë.

Financues i vetëm i festivalit këtë vit është Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, ndërsa mbështetës është edhe Europe House Tetovo, që mundëson hapësirat për realizimin e mbrëmjeve koncertale.

Përmes këtij edicioni, JazzFest Tetova synon të forcojë jetën kulturore të qytetit dhe ta pozicionojë Tetovën si një pikë të rëndësishme të ngjarjeve bashkëkohore kulturore në rajon.