Në shtetet multietnike, multigjuhësore e multikulturore, bashkë me popuj të tjerë, jetojnë dhe popuj autoktonë, që gëzojnë të drejta të garantuara gjuhësore, kulturore e politike dhe paraqesin shembuj të barazisë institucionale.
Në Norvegji populli autokton Sami gëzon të drejtën e mbrojtjes së identitetit kulturor, të drejtat e gjuhës në administratë, në të gjitha nivelet e shkollimit, në kulturë, në media dhe në ekonomi.
Në Finlandë, bashkë me finlandishten gjuhë zyrtare është edhe suedishtja, e cila përdoret në gjykata, në administratë, në universitete, në shkollat fillore dhe të mesme, në media, në komuna suedishtfolëse dhe në përfaqësim kulturor.
Të drejta dhe autonomi shumë të gjerë gëzojnë edhe banorët autoktonë suedezfolës të ishujve Aland të Finlandës. Përveç gjuhës zyrtare ata kanë edhe parlament me kompetenca vetëqeverisëse.
Në Tirolin Jugor, italishtja është gjuhë zyrtare, bashkë me gjermanishten e tirolezëve autoktonë. Ata kanë autonomi të plotë fiskale dhe politike, kurse administrata është dygjuhësore.
Katalonishtja është gjuhë zyrtare në Spanjë me autonomi të gjerë rajonale. Në Spanjë edhe gjuha e Baskëve është zyrtare. Ata, njësoj si Katalonasit, kanë autonomi të gjerë dhe të drejta maksimale gjuhësore e kulturore dhe kompetenca të konsiderueshme fiskale.
Në Mbretërinë e Bashkuar Uellsishtja është zyrtare, në administratë, në universitete, në media, në parlament dhe në qeveri.
Në Holandë gjuha friziane është zyrtare, me mbrojtje ligjore.
Në rajonin Lusacia, banorët sllavë të Gjermanisë flasin serbisht. Ata kanë të drejtën e shkollimit dygjuhësor, kanë media, institucione kulturore të financuara nga shteti Gjerman, mbrojtje kushtetuese. Gjuha e tyre përdoret edhe në sinjalistikë: në tabela rrugore, në tabela orientimi në aeroporte, në qendra tregtare…
Nga e sipërthëna e kuptojmë se pothuajse të gjithë popujt autoktonë, si: Samët e Norvegjisë, Baskët, Uellsianët, Frizianët, Sllavët e Gjermanisë, banorët e ishujve Aland dhe të Tirolit Jugor, kanë autonomi territoriale dhe kulturore dhe të drejta të garantuara institucionale, që nuk preken nga asnjë pushtet, siç ndodh aktualisht në Maqedoninë e Veriut, paria e së cilës, që nga dita e parë e formimit të organeve shtetërore, nisi degradimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve, të fituara me shumë mund, madje dhe me një konflikt të armatosur, që u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit, e që tani po rrënohet ditë pas dite, me pretekstin se prapakthimi i shëmtuar e sugjeruaka Komisioni i Venecias.
Kështu justifikohen më natyrshëm padrejtësitë ndaj shqiptarëve, pa çka se Komisioni i Venecias është këshillues juridik, pa kompetenca ekzekutive për heqjen e të drejtave të fituara njëherë e një kohë. Ajo nuk ndryshon kushtetutat dhe ligjet e shteteve, nuk degradon gjuhët zyrtare, nuk imponon ndryshime që acarojnë pa një shkas serioz marrëdhëniet ndëretnike të vendit.
Komisioni i Venecias analizon unitetin shtetëror, sundimin e ligjit, nivelin e demokracisë së një shteti, të drejtat e njeriut dhe në veçanti të drejtat gjuhësore. Mendimet e saj kanë peshë politike, por nuk janë juridikisht detyruese. Komisioni respekton parimin evropian për mbrojtjen emultikulturalizmit dhe pluralizmit gjuhësor, sepse degradimi i të drejtave të fituara gjuhësore të një komuniteti historik është shkelje e të drejtave njerëzore, është diskriminim.
Mbështetur në këto të dhëna, mund të konstatojmë se Komisioni i Venecias nuk e mohon gjuhën shqipe në RMV dhe nuk ka mundësi ta heqë atë. Në vitin 2018, ligji për gjuhët e zgjeroi përdorimin e shqipes edhe në nivel qendror dhe Komisioni tha se promovimi i të drejtave gjuhësore është legjitim dhe standard evropian. Të shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë në favor të së drejtës që është garanca e vetme për një të ardhme më të mirë për etnitë që jetojnë në këtë shtet. Gjithçka tjetër mund të na çojë të gjithëve drejt humnerës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.