Janevska: Ligji për arsim të lartë nuk tërhiqet, profesorët kanë dy mundësi
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, përsëriti edhe një herë se projektligji i ri për arsimin e lartë nuk do të tërhiqet dhe se i njëjti pritet të dërgohet shumë shpejt në procedurë qeveritare. Ajo theksoi se, megjithëse një pjesë e profesorëve kanë kërkuar që drafti të tërhiqet dhe të rishikohet, puna njëvjeçare e ekipit që e përgatiti ligjin nuk do të anulohet, transmeton Portalb.mk.
Sipas Janevskës, kundërshtimet që vijnë nga një segment i komunitetit akademik lidhen kryesisht me shqetësimin për plotësimin e standardeve të reja, të cilat parashikojnë kritere më të rrepta për avancimin akademik.
Ajo u përgjigj edhe ndaj kritikëve, duke theksuar se ligji i ri krijon hapësirë për fleksibilitet në karrierën akademike, por nuk bën kompromis me cilësinë.
“Një grup i vogël profesorësh po kërkojnë tërheqjen e ligjit. Supozoj se kjo është nga frika se në të ardhmen nuk do të jenë në gjendje të përmbushin kushtet e kërkuara nga ligji. Ata kanë dy mundësi. Mundësia e parë është që ata të fillojnë seriozisht punën. Mundësia e dytë është të qëndrojnë në të njëjtin titull për një periudhë më të gjatë kohore, dhe pastaj, kur të jenë gati, të kalojnë në titullin tjetër. Ata nuk kanë çfarë të humbasin nga kjo”, tha Janevska.
Sipas saj, synimi kryesor i reformës është ngritja e nivelit të arsimit të lartë dhe përmirësimi i pozicionit të universiteteve të Maqedonisë në renditjet ndërkombëtare, veçanërisht në listën e Shanghait. Janevska shtoi se sugjerimet dhe komentet konstruktive të marra gjatë konsultimeve tashmë janë reflektuar në versionin përfundimtar të ligjit.
Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
Pas përfundimit të debatit publik, pritet që të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.
- LEXO: Janevska: Nuk ka nevojë të tërhiqet ligji për arsimin e lartë, pasi nuk ka shumë kundërshtime
- LEXO: MASH sot fillon vizitat në universitete në kuadër të debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë
- LEXO: Janevska: Vërejtjet e arsyeshme për Ligjin për arsimin e lartë do të pranohen, për ato problematike do të diskutohet
- LEXO: Studentët reaguan ndaj deklaratës së ministres Janevska për heqjen e studimeve ndërkombëtare dhe ndërkulturore