Ismane Mehdi fitoi “Çmimin e Nëntorit” 2024 në Gostivar për veprën më të mirë artistike

Shoqata e Artistëve Figurativë “Draudacum” mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Gostivar hapi ekspozitën tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”, transmeton Portalb.mk.

Tradita më e bukur dhe më jetëgjatë e kësaj shoqate padyshim që mbetet ekspozita mbarëkombëtar e cila ka një rritje të përbashkët me të. Ky aktivitet tani më është kthyer në një eveniment, ku në një vend për çdo vit tubohen krijues të artit figurativ nga gjitha trojet shqiptare.

Kryetari i Shoqatës “Draudacum” Arjan Rufati në fjalën e tij përshëndetëse tha se ekspozita tradicionale “Çmimi i Nëntorit” vazhdon edhe më tej të mbetet njëri ndër manifestimet më cilësore të organizuara në trevat tona kulturore. Përkatësish, tha Rufati, ekspozita “Çmimi i Nëntorit”, është më shumë sesa një çmim.

“Mund të thuhet se nuk është punë e vogël që një manifestim kulturor të mbijetojë në rrethanat e sotshme shoqërore, aq më tepër kur bëhet fjalë për një aktivitet nga fusha e artit figurativ, veprimtari kjo e cila nuk shquhet për ndonjë traditë aq të gjatë ndër shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut. Por, megjithatë, shoqata “Draudacum” i ka sfiduar tërë ato barriera dhe vështirësi, dhe nga viti në vit po ia del, jo vetëm të mbajë gjallë ekspozitën “Çmimi i Nëntorit”, por edhe ta begatojë dhe ta profilizojë atë”, tha Rufati.

Çmimin e Nëntorit e fitoi artistja Ismane Mehdi, e cila tha se arti i saj do të jetë përherë simbol paqeje dhe afrimiteti.

“Faleminderit nga zemra, arti im gjithmonë do të mbetet simbol i paqes dhe afrimitetit. Do të vazhdoj të ju bëjë krenare me artin tim në gjithë botën me flamurin më të bukur në botë”, shkroi Mehdi në Facebook.

Komisioni artistik në përbërje nga profesorët e artit figurativ: Xhelil Rufati, Reshat Ameti dhe profesorë të tjerë universitar ndanë edhe çmime të tjera lëmin e artit, edhe atë:

  • Çmimin “Artiste e re” e fitoi Berat Beqiri
  • Çmimin për “Grafikë” e fitoi Berat Zylbehari
  • Çmimin për “Pikturë” e fitoi Enesa Memeti
  • Çmimin për “Qeramikë” e fitoi Mira Kuçuku

Kjo ekspozitë ka rrëfimin e rritës së saj, duke u begatuar dhe transformuar për vite me radhë, megjithatë, një gjë e ka ruajtur të shenjtë, dedikimin dhe çeljen e saj me rastin 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit.