Të shtunën në Teatrin Shqiptar në Shkup vjen premiera e shfaqjes “Pas luftës, kush jemi ne”

Me (30 nëntor), me fillim nga ora 20.00, pas premierës në Tiranë dhe Prishtinë vjen në Teatrin Shqiptar në Shkup premiera e kryeveprës artistike e zhanrit komediko-dramatik, e rangut botëror “Pas luftës, kush jemi ne”, me tekst të Shpëtim Selmanit nën regji të Robert Nuhës. Shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne” që i dedikohet të zhdukurve dhe fëmijëve të vrarë gjatë luftës nisi të shfaqet në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, transmeton Portalb.mk.

Shfaqja, sjell një gërshetim të veçantë artistik të kërcimit, aktrimit dhe ritmeve muzikore që ndërlidhin dramatikisht rrëfimin për të mbijetuarit dhe të zhdukurve, të botës së përjetshme dhe realitetit të sotëm, duke na lënë të reflektojmë mbi rëndësinë e kujtesës individuale dhe kolektive.

Koreografi dhe regjisori Robet Nuha, për Portalb.mk deklaroi se kjo shfaqje i dedikohet sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së popullit tonë, me fokus te kategoria e të zhdukurve si dhe fëmijët e vrarë.

“Ne jemi munduar të krijojmë një shfaqje e cila i tejkalon përmasat e zakonshme të shfaqjes, por në kuptimin e asaj çfarë ne kemi kapacitet të bëjmë, qoftë edhe nga ana materiale por edhe nga anët e tjera. Por që tani, kemi arritur të kemi një shfaqje që është shumë e veçantë, që përfshinë një gamë të gjerë artesh brenda. Një shfaqje që i përket një gjinie që nuk është shumë e lëvruar në vendet tona, me tendenca mjaftë serioze”, tha Nuha.

Nuha edhe më tej sqaroi se çfarë tendence ka kjo shfaqje.

“Tendenca e shfaqjes dans teatër “Pas Luftës, Kush jemi ne” është që nëpërmjet gjuhës së trupit, atë të fjalës, komponimit koreografik, qasjes bashkëkohore, imazheve, e të gjithë komponentëve të saj të arrijë në atë formë artistike që të ngjallë refleksion mbi atë se, kush jemi ne, pas luftës!?, a i vlerësojmë sa duhet vlerat e pakontestueshme të luftës tonë për liri… e shumëçka tjetër”, deklaroi Nuha.

Nuha edhe më tej shtoi se si shoqëri nuk kemi arrit ose nuk kemi bërë mjaftueshëm, ta ngrisim zërin më shumë për këtë kategori që shumë familje dhe të gjithë ne e vuajmë çdo ditë, dhe sidomos pjesa më e ndjeshme, humbja e fëmijëve, vrasja e tyre në luftën e fundit, që ishin 1.432, tha Nuha.

“Në dy prezantimet e kaluara në Prishtinë dhe në Tiranë, kemi pas publik të jashtëzakonshëm, të cilët na kanë pritur me shumë dashuri dhe emocione”, tha Nuha.

Me rastin e Festës së Flamurit hyrja për shfaqjen “Pas Luftës, kush jemi ne”, është pa pages.

Afishja e shfaqjes “Pas luftës, kush jemi ne”, nga faqja e Teatrit Shqiptar/Facebook
Afishja e shfaqjes “Pas luftës, kush jemi ne”, nga faqja e Teatrit Shqiptar/Facebook