Ishte, mungon: Shpirtmadhësia sociale

Mungon edhe në Lindjen e Mesme por edhe planetarisht. Ai dhe fryma e tij, kultura pozitive e shoqërindërtimit pa anime dhe pa paragjykime, botëkuptimi i ‘shekullit të lumturisë’ që ka hyrë në analet e historisë së njerëzimit.

Në këtë kolumnë do ta prezantojmë veprën Muhammedi: Profeti i paqes mes përplasjes së perandorive e Juan Cole-it, profesor universitar amerikan me nam i historisë; njohës i Islamit në përgjithësi dhe i atij të Lindjes së Mesme dhe atij të Azisë Jugore, në veçanti; i arabishtes dhe persishtes; autor edhe i The New Arabs: How the Millennial Generation is Changing the Middle East  (“Arabët e rinj: Si brezi mijëvjeçar po e ndryshon Lindjen e Mesme”, 2014), Engaging the Muslim World (“Të angazhosh botën muslimane”, 2009); Napoleon’s Egypt: Invading the Middle East (“Egjipti i Napoleonit: Të pushtosh Lindjen e Mesme”, 2007). Ai për më shumë se  tri dekada në mënyrë sistematike  analizon relacionin kritik të Perëndimit me “botën muslimane” që paraqitet si e vetmja sfiduese e modernitetit dhe që është në shënjestër të kritikave dashakeqëse dhe ekskomunikimeve mediatike, politike, letrare dhe, më e keqja, edhe e atyre shkencore si në Perëndim ashtu edhe më gjerë.

Libri që keni para, si pasojë e qasjes orientaliste të autorit, përmban edhe pasaktësira, pohime që bien ndesh me narrativin e mirëpranuar gjerësisht mbi jetën dhe veprimtarinë e Profetit Muhammed dhe spekulime teologjike dhe ekzegjetike (Hoxha, 2023). Në këtë vepër autori e vë nën thjerrë, e analizon dhe afirmon thirrjen e Muhammedit për paqe, dialog, pajtim dhe drejtësi sociale. Ai Profetin e Islamit e portretizon si një kozmopolit që ka udhëtuar shumë dhe ka përthithur ide nga një sërë kulturash, si një lider sui generis që ka lënë gjurmë në analet e historisë. Cole vështron storjen e Muhammedit nga Meka në Medinë dhe përtej, si një prijës shpirtëror modest që ka realizuar dialogje ekumenike, zgjidhje paqësore dhe trajtim të drejtë madje edhe të armiqve më të ashpër.

Në këtë tekst të thuktë që implikon “një lexim esencial në kohë turbulente dhe të rrezikshme” të shekullit XXI (Schoenewaldt, 2023), kur mbizotërojnë teoritë e konfliktit, ato realiste të mbarsura me premisa pragmatiste dhe biologjiste joetike, kur shumë vëzhgues e analistë e stereotipizojnë Islamin dhe shkrimin e tij të shenjtë për radikalizëm, dhunshmëri, autori bën një apologji objektive të personalitetit dhe politikëbërjes së Profetit. Nëpërmjet këtij diskursi të Cole-it bien poshtë akuzat dhe paragjykimet e përhapura për “fenë ekstreme” islame. Sipas autorit, xhihadi për Muhammedin dhe ndjekësit e tij të parë ka nënkuptuar një përpjekje personale, shpirtërore  kundër mëkatit, e jo “luftën e shenjtë”. Feja e re është udhëhequr nga filozofia që forcën dhe luftën e arsyeton vetëm për vetëmbrojtje. (Kirkus, 2018) Në këndvështrimin e Muhammedit, çdo konflikt i dhunshëm shkakton humbje të parajsës (f. 72) – shprehet Cole. Pra sa më i dhunshëm të jetë njeriu, aq është më larg lumturisë së përjetshme.

Autori thekson se përkundër luftërave të tmerrshme të kohës, Profeti u shfaq me një karizmë vetëmohuese, me një lëvizje alternative të bazuar në fuqinë e butë (soft power), në shpirtmadhësi sociale (social forbearance). (f. 71) Përmes këtij libri hidhet dritë mbi një histori të harruar, duke në ripëkujtuar se Kur’ani gufon nga trashëgimia e mesazhit shpirtëror që i ka mundësuar Islamit përhapje në kohë shumë dramatike, duke shfuqizuar narrativët që vënë nën  hije të vërtetën me rrënjët e saj (Q’sU, 2020) lidhur me këtë fe planetare.

Libri në fjalë, me karakter të një biografie apo historie sociale, shpalos paradigmën kur’anore që “e ngre lart alkiminë morale ku të përgjigjurit së keqes me të mirë e shndërron armiqësinë në floririn e mirësisë” (f. 84). Një element me peshë i tij është pjesa e pas shtatë kapitujve,  indeksi i ajeteve kur’anore rreth paqes, që mund t’iu shërbejë si hartë orientuese hulumtuesve që merren me temën e luftës, dialogut mes feve, qytetërimeve, xhihadit, ekstremizmit, radikalizmit etj. Mesazhi thelbësor për auditorin dhe opinionin oksidental është: për t’u kuptuar drejt, Islami duhet të (ri)lexohet nga vetë figura e Profetit, nga ligjërata dhe periudha parake e kësaj feje, e jo nga interpretimet dhe konstruksionet e shfaqura nga periudhat e para post-profetike deri te ajo e modernistëve islamistë.

Cole i bashkohet karvanit të shkencëtarëve perëndimorë objektivë lidhur me personalitetin e të dërguarit Muhammed, si: M. Hart, A. Toynbee, W. Durant, F. Rosenthal, C. Cahen, W. M. Watt dhe me këtë ndihmon në ngritjen e urave mes kulturave, rimendimin e tjetrit religjioz nga një kënd afirmativ.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.