IShP: Këtë muaj, numri i rasteve me Covid në RMV është dhjetëfishuar në krahasim me qershorin

Në muajin e fundit, korrik 2024, u regjistrua një rritje e dhjetëfishuar krahasuar me një muaj më parë. Për 18 ditë në muajin gusht janë regjistruar 489 të sëmurë, bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

Javën e fundit janë testuar gjithsej 608 materiale në laboratorët që kryejnë testime molekulare dhe antigjenike për praninë e SARS-CoV-2 dhe janë regjistruar 271 raste të reja pozitive. Kjo është, siç thonë nga atje, një rritje prej 60.4 përqind krahasuar me javën e kaluar.

“Në javën aktuale janë regjistruar të sëmurë në komunat e 17 qyteteve. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, Kavadarci, Tetova dhe Ohri, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Kavadar. Personat e sëmurë janë regjistruar në të gjitha grupmoshat, me numrin më të madh të rasteve të raportuara në grupmoshat mbi 60 vjeç. Gjatë javës së fundit (12-18.08.2024) statusin e “të shëruarit” e kanë fituar 151 persona. Gjatë javës së kaluar (12-18.08.2024) është raportuar një person i vdekur i lidhur me COVID-19. Bëhet fjalë për një person mbi 60 vjeç, me sëmundje shoqëruese, i pavaksinuar”, njofton IShP.

Sa i përket vaksinimit, raporti nuk flet shumë, përveçse rekomandohet të ndiqen masat bazë për parandalimin e COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive të rrugëve të frymëmarrjes.

“Vaksinimi mbetet një masë specifike parandaluese që siguron mbrojtje ndaj formave të rënda të sëmundjes, megjithëse ky efekt mbrojtës zvogëlohet me kalimin e kohës. Vazhdon rekomandimi për vaksinimin e personave me rrezik të lartë të formave të rënda të sëmundjes dhe me rezultat të dobët”, thuhet në njoftimin e IShP-së.

Ndryshe, edhe Komisioni për Sëmundjet Infektive në mbledhjen e fundit konstatoi se ka pasur rritje të rasteve pozitive me Covid-19 në krahasim me javën e kaluar, dhe me këtë rast i rikujton qytetarët që të respektojnë masat e përgjithshme për parandalimin e infeksioneve respiratore.