Personi i cili u vetëdorëzua dje ishte arratisur nga burgu, Prokuroria heton nëse është i përfshirë në vrasjen te “Mavrovasja”

Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot pasdite njoftoi zyrtarisht se dje është arrestuar edhe një person tjetër i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Vasil E. që ka ndodhur pardje në parkingun pas qendrës tregtare “Mavrovasja”. Ndryshe, personi që policia kërkonte prej gati dy ditësh është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme në stacionin e policisë “Prolet”. Nga Prokuroria thonë se janë në vazhdim e sipër të ekspertizës së provave materiale, të cilat duhet të konstatojnë nëse ky person ka qenë i përfshirë në këtë rast, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup informon se është njoftuar nga MPB-ja se dje është privuar nga liria një person i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen penalo-juridike – vrasje në Qendrën Tregtare “Mavrovasja”. Vijojnë ekspertizat e provave materiale, të cilat vërtetojnë vlefshmërinë e dyshimeve për përfshirjen e këtij personi në ngjarje”, thonë nga Prokuroria.

Nga aty bëjnë të ditur edhe se ky person, inicialet e të cilit sipas MPB-së janë A.K., është i dënuari i arratisur nga burgu “Shkupi” në lagjen Shuto Orizari, ku sot është kthyer me masa maksimale sigurie.

“Duke qenë se i paraburgosuri është person i dënuar për vepër tjetër dhe me urdhër të lëshuar ishte në arrati nga Burgu i Shkupit dhe pas konsultimit me prokurorin publik, sot me masa maksimale të sigurisë është kthyer në burg. Për këtë ngjarje penalo-juridike, Prokuroria Themelore Publike Shkup, paraprakisht ka iniciuar hetim kundër një personi, i cili ndiqet për veprat penale – vrasje, tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, dhe i cili me propozim të prokurorit publik, i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thonë nga Prokuroria.

Arratisja e A.K. ka ndodhur në një periudhë kur burgu “Shkupi” ende drejtohej nga Filip Andov-Sokol. U.d drejtori aktual drejtori Boban Utkovski është emëruar në këtë pozitë dy ditë pas arratisjes së A.K.

Ndryshe, dy të arratisurit ishin në kërkim me fletarrest qendror të MPB-së ditën e arratisjes.

Ditën e arratisjes së A.K. nga Shutka, 22 korriku, përkon me datën kur drejtori i Drejtorisë për përmbarim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka njoftuar se gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm në këtë burg, nga 180 në listë mungojnë 11 të burgosur. Dhjetë prej tyre u kthyen në Shutkë në intervale të ndryshme gjatë natës, por katër u arratisën përsëri në mëngjes, raportoi Pandov për vëzhgimin e kryer më 19 korrik.

Për këtë ka reaguar drejtori i atëhershëm Filip Andov, i cili i ka hedhur poshtë akuzat e Pandovit si të pasakta dhe ka paralajmëruar padi kundër tij.

Ish-ministrja dhe deputetja aktuale, Slavjanka Petrovska, të mërkurën në një dalje në TV 21, e ka konsideruar simptomatike që MPB-ja nuk i ka publikuar inicialet e të dyshuarve për vrasjen.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk i shpall inicialet e të arrestuarit apo të personit që kërkon sepse ndoshta janë persona të burgosur që në vend që të jenë në burg janë në rrugë dhe për të cilët MPB kishte nxjerrë urdhër, por pas më shumë se 30 ditësh nuk mund t’i gjenin. Fatkeqësisht, në qendër të Shkupit është dashur të ndodhë një vrasje që njëri prej tyre të ndalohet, ndërsa për tjetrin ende duhet të organizohet aksion për gjetjen e tij”, tha Petrovska më 21 gusht 2024.

Vrasja e Vasil E. ka ndodhur mëngjesin e së martës (20 gusht) në parkingun ndërmjet objekteve të banimit dhe qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup.

Prokuroria Themelore Publike (PThP) Shkup dje ka hapur hetime kundër të dyshuarit të parë E.K., ndërsa Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ai akuzohet për tri vepra penale – vrasje, vrasje në tentativë dhe prodhim i paautorizuar, posedim, ndërmjetësim dhe trafikimi i armëve të zjarrit.

Në stacionin e policisë “Prolet” mbrëmjen e djeshme është vetëdorëzuar i dyshuari i dytë A.K, i cili ishte në arrati dhe të cilin policia e kërkonte.