Ish-kryeministri Kovaçevski dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LSDM-së, këtë e kërkoi edhe nga anëtarët tjerë të partisë

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të partisë Lidhjes Socialdemokrate në Maqedoni (LSDM), pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 8 maj, transmeton Portalb.mk.

“Kovaçevski zyrtarisht e konfirmuar tërheqjen nga pozita e Kryetarit të LSDM-së, kërkoi thirrjen e Kongresit dhe organizmin e zgjedhjeve të brendshme”, njoftoi LSDM-ja.

Ai në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv në LSDM, e dorëzoi dorëheqjen duke theksuar që ky është një akt moral, pas rezultateve që i mori partia e tij në zgjedhjet e 8 majit.

“Në përputhje me nenin 68b, paragrafi 3, në bazë të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, dhe në bazë të pasivitetit të theksuar nga një pjesë e anëtarëve dhe simpatizantëve të LSDM-së, duke përfshirë edhe një pjesë të madhe edhe të funksionare të zgjedhur dhe emëruar në nivel qendror dhe lokal, si një akt të lartë moral, largohem nga funksioni Kryetar i LSDM-së”, njoftoi Kovaçevski.

Kovaçevski kërkoi që një dorëheqje të tillë në organet e partisë ta ofrojnë të gjithë anëtarët e saj në radhitje vertikale.

Ndryshe, zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.