Presidenca daneze e BE-së në vitin 2025 do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të përparojë në rrugën e integrimit evropian

Zgjerimi i BE-së do të jetë një temë e rëndësishme e presidencës së Danimarkës me Bashkimin Evropian në vitin 2025. Kopenhaga do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimeve evropiane, tha ambasadorja daneze Suzanne Schein në fjalimin e saj me rastin e 30 vjetorit të Konsullatës së Përgjithshme të Mbretërisë së Danimarkës në Shkup, shkruan Racin transmeton Portalb.mk.

“Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Danimarkës janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta, interesat e ndërsjella dhe një këndvështrim të përbashkët për çështjet botërore. Një aspekt kyç i punës sonë në forcimin e këtyre lidhjeve është të ndihmojmë vendin të përparojë në rrugën e tij drejt BE-së. Ne sigurisht do të vazhdojmë atë punë me Qeverinë e re. Në këtë drejtim, dua të theksoj se Danimarka do të marrë presidencën e Bashkimit Evropian në vitin 2025 dhe zgjerimi i BE-së do të jetë një element i rëndësishëm i presidencës sonë. Me të gjitha angazhimet e Danimarkës në Maqedoninë e Veriut, Konsullata e Përgjithshme e Mbretërisë së Danimarkës ka luajtur një rol qendror dhe do të vazhdojë të jetë i tillë”, theksoi ambasadorja Schein.

Ajo theksoi se Konsullata e Përgjithshme Daneze me seli në Shkup ka filluar punën në korrik të vitit 1994, pas një dekreti të lëshuar nga mbretëresha daneze Margarete II, e cila emëroi Trajçe Mukaetov si konsull të përgjithshëm nderi. Në vitin 2007, postin e Konsullit të Përgjithshëm të Nderit e mori djali i tij, Zhivko Mukaetov.

Aplikimet për viza, lejet e punës, pasaportat daneze, lejet e drejtimit daneze, kriza e refugjatëve në 1999, hyrja e Danimarkës në zonën Shengen në 2002, ndihma gjatë vizitave të rangut të lartë shtetëror, ndihma për sfidat e shumta me të cilat janë përballur qytetarët danezë në vend, por edhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe kulturës daneze në vend, janë pjesë e aktiviteteve që kjo Përfaqësi Konsullore ka punuar për 30 vjet.

Konsulli i Përgjithshëm Mukaetov falënderoi ekipin e tij në Konsullatë dhe familjen e tij për mbështetjen vetëmohuese në punën e tij.

“Këtu në Konsullatë do të vazhdojmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe si gjithmonë do të përpiqemi t’i ofrojmë shërbimin më të mirë të mundshëm Mbretërisë së Danimarkës”, tha Mukaetov.

Nga qershori 2023, Mukaetov mban edhe postin e Konsullit të Mbretërisë së Norvegjisë.