Ish-ambasadorja e RMV-së ofendoi rëndë një pakicë etnike, Komisioni kundër diskriminimit: Të kërkojë falje dhe të fshijë postimin

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) ka konstatuar shqetësimet në bazë etnike, të kryera nga ish-ambasadorja e Maqedonisë ndaj pjesëtarëve të një bashkësie etnike pakicë në Maqedoni, në fushën e informimit publik dhe mediave. Tekstin plot fjalë fyese, përçmime, konspiracion, fantazi dhe thirrje për linçim të pakicës etnike, ajo e publikoi në profilin e saj në Facebook në janar të këtij viti. Një qytetar e ka denoncuar menjëherë në Komisionin Kundër Diskriminimit, transmeton Portalb.mk.

Ish-ambasadorja që mbante pozitë të lartë në VMRO-DPMNE tashmë në fjalinë e parë të tekstit të publikuar paraqet  kualifikim të padëgjuar më parë për gjoja shkatërrimin e shtetit nga ajo pakicë etnike. Ajo pyet nëse ishin qytetarë besnikë të Maqedonisë. Duke shkruar për identitetin, ajo shpik se ata ishin kontaminuar me pretendimet se ishin trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të maqedonasve të lashtë. Ajo thotë gjithashtu se nga ata u sabotua edhe kombi maqedonas, po ashtu edhe qeveria, gjyqësori, administrata, elita politike.

Kur Komisioni i dërgoi kërkesën nga qytetarja në fjalë dhe materialin, ajo nuk i mori fare nga posta.

“Shqetësimi, sipas nenit 10 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, është çdo trajtim i padëshiruar ndaj një personi ose grupi personash në baza diskriminuese, që ka si qëllim ose pasojë shkeljen e dinjitetit ose krijimin e një mjedisi kërcënues, qasje apo praktikë armiqësore, poshtëruese apo frikësuese”, citon Komisioni artikullin që ish-ambasadorja ka shkelur me postimin e saj paranojak në Facebook.

Përveç kësaj, KPMD argumenton gjithashtu se artikulli i raportuar shkaktoi përbuzje për komunitetin etnik pakicë në Maqedoni dhe shton se një tregim i tillë është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.

Më 20 prill, KPMD ia dorëzoi të denoncuarës këtë mendim dhe kërkoi nga ajo: ta fshijë menjëherë këtë postim shqetësues në Facebook dhe ta informojë Komisionin për këtë brenda 30 ditësh, pastaj t’u kërkojë falje publike pjesëtarëve të komunitetit etnik pakicë dhe së treti, të përmbahen nga njoftime të tilla në të ardhmen në çdo media dhe në çfarëdo formati, gjegjësisht të formulohen njoftimet në atë mënyrë që të mos shqetësojnë më askënd në bazë të përkatësisë etnike.