RMV, u shënua Dita e Policisë me nderime para përmendores së të rënëve të MPB-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në ditën e Policisë së Maqedonisë, ka vendosur lule para përmendores së të rënëve të MPB-së, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se kjo ditë u kushtohet policëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët praktikisht janë heronjtë e kohës sonë.

“Fatkeqësisht, disa prej tyre, duke luftuar për sigurinë e qytetarëve dhe shtetit, dhanë sakrificën më të çmuar – jetën e tyre, prandaj në këtë ditë i kujtojmë ata dhe guximin e tyre me respekt të pamasë, si një frymëzim i përjetshëm për të gjithë ne! Prandaj i themi se të jesh polic, të jesh pjesëtar i MPB-së është nder i veçantë dhe përgjegjësi e madhe”, ka shkruar Spasovski në Facebook.

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, tha se është i bindur se si deri më tani, kontinuiteti i krijuar i reformimit cilësor dhe efikas të policisë dhe shërbimit policor do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Besoj se do t’i kryeni detyrat e punës me ndershmëri, profesionalizëm dhe pa kompromis, siç keni bërë deri më tani dhe do të vazhdoni të jeni heronj të kohës suaj. Ju uroj suksese si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal”, tha ai.

Në ngjarje ishin të pranishëm edhe sekretarja shtetërore në MPB Magdalena Nestorovska, zëvendësdrejtori i BSP-së Arif Asani, Shoqata e Mbrojtësve, familjet e të rënëve të MPB-së dhe përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Maqedonisë.

Qeveria tha se realizimi i procesit të reformës ka kontribuar në profesionalizim më të lartë të policisë, e cila sot njihet si shërbim ndaj qytetarëve, duke mbrojtur të drejtat e tyre dhe duke mbrojtur paqen dhe sigurinë publike.

Urime me rastin e Ditës së Policisë ka dërguar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili tha se rezultatet e arritura nga policia janë pasqyrë e përkushtimit dhe ekspertizës në përballjen me të gjitha sfidat kombëtare dhe globale.

“Ju përgëzoj për efikasitetin tuaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç dëshmohet nga rezultatet e arritura në vitin 2022 – u shtypën 15 grupe kriminale, u sekuestruan më shumë se 2.4 ton drogë me vlerë 6 milionë euro në tregun e zi, mbi 26 mijë tentime për kalime ilegale kufitare”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.