Gratë që garojnë për presidente në Maqedoninë e Veriut, cak i sulmeve në rrjetet sociale

Ende pa filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, tri gratë kandidate për këtë post Gordana Siljanovska, Biljana Vakovska dhe Mersiha Smailoviq, janë vënë në shënjestër të sulmeve mbi bazë gjinore, raporton REL.

Në rrjetet sociale janë evidente fyerjet mbi baza gjinore, ku ato porositen se duhet të luajnë rolin e gruas apo atë të gjysheve dhe të mos merren me gjëra që, sipas tyre, nuk u përkasin.

Gordana Siljanovska, Biljana Vakovska dhe Mersiha Smailoviq dhe 10 kandidatë burra garojnë për pozitën e kryetarit të shtetit, në zgjedhjet e 24 prillit përkatësisht rundin e dytë që është paraparë të mbahet bashkë me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Vankovska, Smailloviq dhe Siljanovska thonë se nuk janë të befasuara nga shprehjet fyese dhe kjo nuk do t’i ndalë ato në synimin për të dalë fituese, megjithëse theksojnë se gjuha e urrejtjes në masë të theksuar lëndon të afërmit e tyre.

“Madje dhe partitë që garojnë me kandidate grua, nuk hezitojnë të përdorin gjuhë ku minimizohet personaliteti i grave në taborin e kundërt politik”, thotë Biljana Vankovska kandidate për kryetare të shtetit. Ajo shton se për të, më i dhimbshëm është fakti kur këto sulme vijnë nga gratë, që atakojnë gratë në politikë për pamjen, veshjen dhe moshën e tyre dhe jo në bazë të angazhimit dhe ofertës politike.

Mersiha Smailoviq e cila merret me aktivizëm në sektorin civil, kandidaturën e së cilës e ka mbështetur dhe partia Lidhja Demokratike Boshnjake, thotë për Radion Evropa e Lirë se më së shumti komente negative ka marrë në platformën X më herët Tëiter, për mbulesën e saj.

“Komentet më të shpeshta kanë të bëjnë me pamjen time të jashtme mbulesën që kam në kokë dhe përkatësinë time fetare. Kjo veshje [nga komentuesit] ndërlidhet me struktura radikale ose se me veshjen time nuk i takoj shoqërisë maqedonase”, thotë Smailoviq.

Ndërkohë, Gordana Siljanovska, e cila është kandidate nga radhët e VMRO DPMNE-së, thotë se fakti që për të dytën herë i është futur garës për këtë post, tregon se sa e pathyeshme mund të jetë një grua në qëllimet e saj.

Leunora Kaliqi kryetare e Këshillit për Etikë në Media për Radion Evropa e Lirë thekson se mosreagimi i institucioneve ndaj përdoruesve të gjuhës së urrejtjes, i inkurajon ata që në rrjetet sociale atakojnë gratë politikane.

“Nga gjendja faktike dhe reale që shohim në përditshmëri, në veçanti në hapësirën e rrjeteve sociale, sulmet e pareshtura që u bëhen grave që guxojnë të marrin pjesë aktive në jetën publike, gjegjësisht në politikë, bëjnë që të dekurajohen edhe ato pak gra edhe që marrin guximin të garojnë në këtë terren e që llogaritet se është ekskluzivisht i burrave. Gruas i shumëfishohet dhe vështirësohet lufta terren”, thotë Kaliqi.

Sipas saj, në përkeqësimin e kësaj situate ndikon drejtpërdrejt mosreagimi i institucioneve kur cak i sulmeve janë gratë dhe vajzat.

Fyerjet ndaj grave kandidate për presidente të shtetit, kanë të bëjnë me konotacion seksual, madje ka raste edhe të kërcënimeve me dhunë, thotë për REL-in Bojana Jovanovka, e cila merret me hulumtimin e sjelljes së përdoruesve të rrjeteve sociale.

Ajo konsideron se gjuha e urrejtjes pritet të jetë edhe më e pranishme gjatë fushatës zgjedhore, kur kandidatet do të kenë takime të drejtpërdrejta me elektoratin.

“Përfaqësimi relativisht i ulët i grave në politikë në krahasim me burrat, ka të bëjë me faktin që gratë ende nuk perceptohen se e kanë vendin në politikë. Unë nuk mbaj mend se ndokush nga burrat kandidat për president ka pasur komente të tipit se ‘duhet të merret me fëmijët apo të kujdeset për nipërit’ në vend se të merret me politikë”, thotë Jovanovska.

Aktivistja për të drejtat e grave, Tatjana Aleksiq, thotë se heroinat që kanë bërë kthesa të mëdha në historinë e njerëzimit nuk e kanë pasur të lehtë ballafaqimin me opinionin. Ajo shton se “guximi është ai që i bën të dukshme gratë”.

“Në masë të theksuar mbetet gjuha verbale seksiste ndaj grave që guxojnë të futen në politikë. Por, më duhet të theksoj se gjërat, mbase shumë ngadalë, por kanë filluar të lëvizin në favor të zaptimit të terrenit politik edhe nga gratë. Sa i vështirë është ky terren? Ja, kishim rastin e profesoreshës Siljanovska që u bë ‘meme’ se vallëzon duke u gjykuar për moshën… epo le të vallëzojë, bukur madje vallëzon, kjo nuk e bën të paaftë për të qenë një presidente [jo vetëm] e ditur, por edhe e hareshme”, shprehet Aleksiq.

Komiteti i Helsinkit që është pjesë e Platformës për Barazi Gjinore, që mbledh rreth vetes 30 organizata, ka kërkuar nga partitë politike dhe mbështetësit e tyre “të tregojnë kapacitete demokratike dhe të përmbahen nga fyerjet dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes”.

Në funksion të kësaj kanë promovuar edheplatformën ku mund të denoncohet gjuha e urrejtjes.

Në zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2019, siç theksohet nga Komiteti i Helsinkit, nuk është vërejtur gjuhë urrejtjeje në adresat e kandidatëve, por ka pasur mesazhe negative dhe ofendime personale gjatë debateve për rundin të dytë.

Më së shumti gjuhë urrejtjeje në zgjedhjet e mëparshme presidenciale është regjistruar në rrjetet sociale.

Sipas raportit të këtyre organizatave joqeveritare, nga 1 prilli 2019 deri më 5 maj 2019, kur u zhvillua rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, në ueb-faqe janë regjistruar 69 raste të gjuhës së urrejtjes. Më së shumti raste, 31 për qind, ishin për shkak të përkatësisë etnike, pastaj për shkak të orientimit politik dhe gjinisë, 21 për qind, dhe 16 për qind e rasteve ishin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Deri më tani sfidën e mbledhjes së nënshkrimeve e kanë tejkaluar 7 kandidatë: Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE (28 029), Stevo Pendarovski nga LSDM-ja (21 852), Maksim Dimitrievski nga ZNAM (11 601), Bujar Osmani nga BDI-ja (11 085), Stevço Jakimovski nga GROM (10 887), Arben Taravari nga VLEN (10 709) dhe Biljana Vankovska Cvetkovska nga “E majta” (10 432).

Këtë procedurë akoma nuk e kanë kaluar: Mersiha Smailoviq nga Lidhja Demokratike Boshnjake (1 596), Velo Markovski (1 466), Gjorgji Manaskov (429), Zorica Cvetkovska (204) dhe Poposki (119).

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.