Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për 14-vjeçaren e zhdukur në Maqedoninë e Veriut

Interpoli sot shpalli fletarrest ndërkombëtar për 14-vjeçaren V.GJ., për të cilën më 27 nëntor u paraqit se është zhdukur, raporton MIA. Siç kumtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), hetimi vazhdon intensivisht dhe po ndërmerren të gjitha maat dhe aktivitetet për gjetjen e saj.

“Të dhënat për personin e zhdukur më 28.11.2023 në orën 13:00 janë vendosur në Stop-listën e vendklaimeve kufitare, ndërsa me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme është shpallur fletë-arrest ndërkombëtar për personin e zhdukur nga ana e Interpolit”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Nga MPB sot i demantuan dezinformatat se vajza 14-vjeçare kinse është gjetur në një shtet fqinj.

Njëherit, bëjnë thirrje të mos përhapen dezinformata dhe theksojnë se vazhdimisht do ta informojnë opinionin deri në gjetjen e të miturës.

Ndryshe, vajza është shpallur dje zyrtarisht në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi.

Në përshkrim thuhet se vajza ka flokë kafe të errët dhe sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Ajo është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë.

Në ditën e zhdukjes (27 nëntor) ajo ka pasur veshur një bluzë blu, një xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash dhe atlete të bardha me vija kafe. Mbante me vete një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.

Zhdukja e vajzës u raportua në polici të hënën në orën 08:35. Që atëherë, siç informojnë nga MPB-ja, kapacitetet e plota të SPB Shkup janë përfshirë në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat.

Ministria e Brendshme i kërkon publikut të mos përhapë dezinformata, duke theksuar se do të vazhdojnë të informojnë deri në gjetjen e të miturës.

Fotot e vajzës janë ngjitur në qendër të qytetit me shpresën se ndonjë kalimtarët do t’i kujtohet ndonjë informacion.

Në rrjetet sociale po përhapet një fotografi e Vanja Gjorçevskës me një mesazh të shkruar në gjuhën angleze drejtuar të gjithëve në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi dhe të gjithëve në botë, ku thuhet se vajza është zhdukur.

Rastin e ka bërë të ditur nëna e vajzës adoleshente përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas postimit të nënës së vajzës, 14-vjeçarja është larguar nga shtëpia për në shkollë në orën 07:20, pas së cilës ka humbur çdo gjurmë. Ajo është parë për herë të fundit në Debar Maalo teksa shkonte në shkollën “Johan Heinrich Pestalozzi”.