SHBA, ligjvënësit nën trysni për të miratuar ndihma të reja për Ukrainën

Ka mbetur pak kohë para se ligjvënësit amerikanë të shkëputen për pushimet e fundvitit, ndërsa Shtëpia e Bardhë po u bie këmbanave të alarmit se ndihma e fundit që i është dhënë Ukrainës po mbaron me shpejtësi dhe se duhet miratuar pakoja e re e ndihmës. Siç njofton Zëri i Amerikës, Partia Republikane e ka bërë të qartë se vota e tyre pro varet nga përpjekjet për shtimin e masave të sigurisë në kufirin me Meksikën.

Ndërsa bora po e mbulon Ukrainën dhe ushtria bëhet gati edhe për një dimër të gjatë në luftë, ndihma e rëndësishme për luftën e Kievit kundër agresionit rus është në rrezik në Kongresin amerikan.

“U bë javë të tëra që një grup republikanësh po përpiqen në mënyrë të rrezikshme të kushtëzojnë ndihmën për Ukrainën dhe mbështetjen e Perëndimit për demokracinë me miratimin e politikave të tyre të vijës së ashpër për kufirin”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe gati 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin. Ndërsa shumica e republikanëve në Senat e mbështesin këtë ndihmë, ata duan që në këmbim të votës së tyre pro të miratohen edhe miliarda dollarë fonde për sigurimin e kufirit me Meksikën.

“E telefonova presidentin javën e kaluar për t’u siguruar që ai e kuptonte se nuk do të kishte miratim të ndihmës pa u bindur se ka përpjekje serioze për të kapërcyer situatën shumë të rëndë në pjesën jugore të kufirit me Meksikën. Shpresoj se kjo e bëri atë ta kuptojë, se përse unë kam qenë mbështetësi më entuziast i kësaj ndihme”, thotë Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se miratimi i ndihmës në Kongresin amerikan është një nga tri fitoret kryesore që i duhen Ukrainës në frontin ndërkombëtar.

“Është një sfidë, nuk do të jetë lehtë”, thotë zoti Zelenskyy.

Ligjvënësve amerikanë u ka mbetur pak kohë para se të shkojnë për pushime dhe Shtëpia e Bardhë thotë se ndihmat e miratuara më parë për Ukrainën janë duke përfunduar me shpejtësi.

“Ndihmat për partnerët tanë, Ukrainën dhe Izraelin, janë bazuar në nevojat dhe kërkesat e tyre. Në të dyja rastet, mundësia për të vepruar po zvogëlohet”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Shumë republikanë kanë shprehur shqetësim për këto ndihma të vazhdueshme, ndërkohë që ka shumë nevoja urgjente të brendshme. Një analist i tha Zërit të Amerikës se debati mbi ndihmën për Ukrainën nuk mund të ndahet nga shqetësimet e brendshme politike.

“Disa nga kritikët e ndihmës për Kievin do të thoshin: ‘Ukraina është e rëndësishme, por ne kemi shumë çështje të brendshme, kemi varfëri, kemi probleme me kufirin, ka çështje të tjera kombëtare. Më mirë t’i shpenzojmë paratë për çështjet e brendshme’. Unë mendoj se ky është një vlerësim i gabuar. Një vend i madh mund t’i bëjë të dyja në të njëjtën kohë”, thotë Colin Cleary, profesor në Universitetin ‘George Washington’ dhe veteran i diplomacisë amerikane që ka shërbyer edhe në Ukrainë.

Kundërshtimi ndaj ndihmës për Ukrainën është më i madh në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumica janë republikanë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson megjithatë ka thënë se ka besim se ndihma do të miratohet.