Shpikjet e mëdha ndikojnë në mënyrën e jetesës së njerëzve. Ato mund t’i shërbejnë njerëzimit, por edhe mund ta rrezikojnë.
Inteligjenca Artificiale është një shpikje që pritet të ndryshojë shumëçka në funksionimin e qytetërimit tonë. Ajo do të ndikojë në shumë profesione, por jo edhe në sferën artistike.
Autorja Joanna Maciejewska tha: “Dua që Inteligjenca Artificiale të më lajë rrobat dhe enët, që unë të merrem me art dhe shkrim e jo që Inteligjenca Artificiale të merret me artin dhe shkrimin tim, ndërsa unë të laj rrobat dhe enët”.
Shkrimtari shkruan sepse të shkruarit për të është mënyrë jetese. Atij nuk i hyn në punë Inteligjenca Artificiale, e cila nuk do të bënte asgjë po të mos kishte qenë Inteligjenca Njerëzore.
Inteligjenca Artificiale e përpilon një tekst duke u bazuar në tekstet që i ka krijuar Inteligjenca Njerëzore.
Inteligjenca Artificiale mund të jetë e “dobishme” për ata që duan të dëshmohen si inteligjentë.
Shkrimtari ndikohet nga autorët tjerë. Ai është produkt i kulturës. Por pa zjarrin që digjet brenda qenies së tij, nuk mund të jetë shkrimtar.
Shkrimtari shkruan edhe kur e di se mund të dënohet. Ai më parë e pranon persekutimin për shkak të shkrimeve të tij, sesa privimin nga të shkruarit.
Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë shumë profesione, por jo edhe artistin. Ajo mund të prodhojë “artistë” të përkohshëm, por jo edhe artistë gjenialë.
Motorët e Inteligjencës Artificiale nuk kanë ndjenja, nuk mendojnë, por vetëm kombinojnë. Në këto shkrime nuk ka origjinalitet.
Arti nuk rrezikohet nga zhvillimet teknologjike. Vepra gjeniale u krijuan edhe kur nuk kishte rrymë elektrike dhe Inteligjencë Artificiale.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.