Të rinjtë në Maqedoni qëndrojnë në shtëpitë e prindërve deri në moshën 30.7 vjeç, ndërsa në BE deri në 26.3 vjeç
Të rinjtë në Maqedoni largohen nga shtëpia e prindërve mesatarisht në moshën 30,7 vjeç, ndërsa të rinjtë në BE largohen në moshën 26,3 vjeç. Sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2025, më gjatë në shtëpitë e prindërve qëndrojnë të rinjtë në Kroaci (31,5 vjeç), Greqi dhe Sllovaki (nga 30,9 vjeç), si dhe në Spanjë dhe Itali (nga 30,2 vjeç). Në anën tjetër, më herët largohen nga shtëpia e prindërve të rinjtë në Finlandë (21,4 vjeç), Danimarkë (21,8 vjeç) dhe Estoni e Lituani (nga 22,7 vjeç), transmeton Portalb.mk.
Në rajonin tonë, të rinjtë në Serbi qëndrojnë me prindërit deri në moshën 30,1 vjeç, në Bosnjë dhe Hercegovinë deri në 29,5 vjeç, ndërsa në Bullgari deri në 27,9 vjeç.
Eurostat vëren se në të gjithë Evropën ekziston një tendencë që të rinjtë të qëndrojnë më gjatë në shtëpitë e prindërve, ndërsa këtë e lidh me shkallën e punësimit të tyre.
Në vitin 2025, shkalla e punësimit te të rinjtë e moshës 20 deri në 29 vjeç në BE ishte 65,5%.
Në shumicën e vendeve ku mosha në të cilën të rinjtë largohen nga shtëpia e prindërve është nën mesataren e BE-së, shkalla e punësimit për personat e moshës 20 deri në 29 vjeç është mbi mesataren e BE-së.
Për shembull, në vendet ku të rinjtë kanë tendencë të largohen më herët nga shtëpia e prindërve, si Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Suedia, shkalla e punësimit te të rinjtë është më e lartë.
Në vendet ku të rinjtë largohen më vonë nga shtëpia e prindërve, si Greqia, Kroacia, Spanja dhe Italia, shkalla e punësimit ishte më e ulët se mesatarja e BE-së.
Në Maqedoni, shkalla e punësimit te të rinjtë në vitin 2025 ishte 50,2%.