Dy persona të arrestuar në Tetovë nën dyshimin për vjedhje të rënda

Policia ka zbardhur dy raste të vjedhjes së rëndë në Tetovë dhe Poroj, me ç’rast janë privuar nga liria dy persona, transmeton Portalb.mk.

Dje, në orën 12:00 në fshatin Poroj dhe në orën 14:50 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë i kanë arrestuar S.K. (27) nga Poroj dhe A.C. (19) nga Tetova, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” sipas nenit 236 të Kodit Penal.

S.K. dyshohet se gjatë natës mes 15 dhe 16 shtatorit, me përdorim të forcës, ka hyrë në një objekt shitjeje në Tetovë, në pronësi të 52-vjeçarit I.O., nga ku ka marrë para dhe disa produkte.

Në rastin e dytë, një 55-vjeçare nga Tetova ka raportuar se A.C., duke e kërcënuar djalin e saj të mitur, ka marrë para.

Të dy personat janë mbajtur në stacion policor. Nga SPB Tetovë informojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse.