Banorët e Banjicës të revoltuar për shpronësimin, penguan punimet në Korridorin 8

Banorët e fshatit Banjicës së Epërme dhe të Poshtme mëngjesin e sotëm kanë bllokuar rrugën rajonale që kalon nëpër fshatrat e tyre dhe më këtë rast nuk shpëtuan as punonjësit e kompanisë Bechtel dhe Enka të cilët punojnë në trasenë e Korridorit 8. Bllokimi i rrugës është shenjë revolte kundër mënyrës se si kryhet shpronësimi, transmeton Portalb.mk.

Bllokimi, siç thanë ata, vjen nga qëndrimi injorues i autoriteteve dhe institucioneve të tjera në adresimin e kërkesave të tyre. Pjesëmarrësit e protestës theksuan se askush nuk i mbrojti dhe nuk u interesua për interesat e tyre gjatë procesit të shpronësimit. Banorët e Banjicës së Epërme dhe të Poshtme janë ankuar se për tokën që po konfiskohet marrin kompensim joadekuat prej dhjetë euro për metër katror.

Përfaqësuesi i pjesëmarrësve në bllokadë, Abdulaqim Asipi, tha se nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat që i kanë dërguar autoriteteve dhe as nuk janë thirrur për bisedë. Ai sqaroi se një pjesë e tokës nuk blihet për nevojat e rrugës, por për ndërtimin e kampeve për punonjësit, të cilat shteti do t’i shesë më vonë për ndërtimin e pikave të karburantit dhe objekteve të tjera tregtare.

Ata njoftuan se nga sot dhe në tri ditët në vijim do t’i ndërpresin punimet e kompanisë Bechtel dhe Enka me bllokada gjithëditore për vetura, ndërsa planifikojnë edhe bllokimin e komunikacionit në rrugën magjistrale Gostivar-Kërçovë.

Deri më tani, rreth gjysma e pronarëve të tokave bujqësore që do të konfiskohen për ndërtimin e një autostrade të Korridorit 8 kanë marrë vendime për konfiskim të përhershëm.

Banorët e Banjës u bënë apel institucioneve kompetente që të ulen sa më parë dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët.