Xhaferi pret që autostrada Gostivar-Kërçovë të mbarojë në vitin 2027

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi bashkë me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e NP për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, ka kryer inspektim në punën e Korridorit 8 dhe seksionit nga Gostivari deri në Kërçovë. Nga lokacioni në Banjicë të Epërme ai tha se bëhet fjalë për megaprojekt i cili po realizohet në 30 vitet e fundit dhe pret që të mbarojë në vitin 2027, transmeton Portalb.mk.

“Kontraktori nuk është i panjohur, duke pasur parasysh që projekte të tilla kanë realizuar në rajon, kjo është një konfirmim se këtu do të përfundojnë punën në kohë dhe me cilësi të lartë. Si Qeveri, ne do të sigurojmë parakushte që punët të zhvillohen pa pengesa. Mendoj se të gjithë kemi pasur mundësinë të lëvizim në  rrugët që ata kanë ndërtuar deri tani. Në këtë kontekst, nuk kam asnjë dyshim për cilësinë dhe kapacitetin e tyre për të bërë më të mirën. Projekti përfshin aksin Tetovë-Gostivar-Kërçovë, Trebenishtë- Qafë Thanë. Nga ana shqiptare tashmë po punohet aksi nga Elbasani deri në kufi, kështu që projekti i Korridorit 8 është një lidhje midis Adriatikut dhe Detit të Zi, gjë që e bën këtë Korridor të një rëndësie të veçantë”, tha Kryeministri Xhaferi.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski është i kënaqur me dinamikën e ndërtimit.

“me ndërtimin e rreth 110 kilometrave seksione të reja të autostradave në Korridorin 8 dhe Korridorin 10-D, nëpërmjet këtij projekti japim stimulim shtesë në ekonomikë e vendit dhe ndërtimtarinë. Kemi zhvillim të shkëlqyer deri më tani. Ndërtimi i projekteve të këtilla të mëdha nuk është i lehtë, në terren paraqiten shumë sfida, por besojmë se të gjithë maksimalisht kontribuojmë që të arrijmë deri te qëllime e caktuara të shtetit, e ato janë rrjet rrugor modern dhe cilësor”, tha Boçvarski.

Drejtori i NP Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi theksoi se plotësisht pret intensifikim të punëve me hapjen e sezonit ndërtimor.

“Janë filluar aktivitete ndërtimore të dukshme, gjatë së cilës intensivisht kryhen eksproprijim i tokës, ndërkaq kryerës i punës dhe projektimit, kryen punë hulumtuese gjeoteknike dhe gjeomekanike, por edhe aktivitete tjera të domosdoshme’, tha Rustemi.

Xhosh Bejker, menaxheri kryesor i projektit nga kompania Behtel, tha se ekipi për momenti numëron mbi 450 punëtor në Behtel dhe Enka.

“Më vjen mirë që mund të theksoj se më shumë se 50% nga ata të punësuar janë njerëz nga këtu, nga popullata lokale. Deri tani kemi siguruar më shumë se 300 makineri dhe ato punojnë në këtë projekt dhe pres që numri të rritet. Qëllimi ynë është që të punojmë më shumë me kompani vendore, për momentin kemi mbi 360 marrëveshje me kompani prodhuese, ndërkaq mbi 75%  prej atyre kompanive janë nga Maqedonia e Veriut. Tanimë gjatë kohë punojmë në gërryerjen në seksionin 2, por edhe mund të shihni pas nesh, që prej sot kryejnë gërryerje edhe në seksionin 1, gjegjësisht në trasenë Tetovë-Gostivar”, tha Bejker.

Ndryshe, më 27 tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 195-të solli vendime për aprovim të projekteve urbanistike për akset rrugore Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçani, të cilët janë pjesë e Korridorit 8.

Më 8 mars 2023, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë. Projekti pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027.