Imazhe nga Gjermania

Festë e bukur sporti… Ankthe, shpresë, parashikime, çlodhje në këtë kohë të sertë…

Në këtë festë tifozët shqiptarë u shfaqën si europianë. Treguan krenari, dinjitet, vetëbesim dhe kulturë të lartë sportive e civile. Kjo duhet vlerësuar, për sa kohë më shumë i theksojmë veset sesa virtytet tona; më shumë kemi ndjenjë vetëpërçmimi sesa ndjenjë vetëbesimi.

Prania e madhe e tifozëve shqiptarë në Gjermani dëshmon se kemi diasporë të madhe, e cila i ruan lidhjet me rrënjët.

Diasporës duhet t’i jemi mirënjohës për shumëçka. Ajo e ka dëshmuar veten në kohë të vështira e të mira dhe i ka dhënë vendit të origjinës shumëçka, pa kërkuar përfitime materiale.

Gjithashtu, prania e madhe e tifozëve shqiptarë në Gjermani, dëshmon se ata duan ta shohin kombin dhe vendin e tyre sa më të lartësuar. Kjo energji asnjëherë nuk është shfrytëzuar nga elitat drejtuese.

Tifozët shqiptarë iu gëzuan edhe golit më të shpejtë në historinë e kampionateve evropiane. Qe gëzim i shkurtër. Popujt e vegjël i kanë të shkurtra gëzimet, por të humbësh nga të fortët nuk është dobësi.

“Ndonjëherë duhet ta pranojmë se kundërshtarët janë më të mirë sesa ne”, tha Alex Fergusoni i lavdishëm.

Kombëtaret e shteteve të vogla dinë të luajnë futboll edhe pse mundësitë i kanë më të vogla, por nëse besojnë më shumë ia arrijnë qëllimit.

“Nëse nuk beson se mundesh, atëherë nuk ke gjasa për të fituar”, tha Arsen Wenger-i.

Sporti është shumë i rëndësishëm në jetën shoqërore. Sukseset në sport ua shtojnë kombeve vetëbesimin.

Në një dokumentar ku flitet për ndikimin e sportit në shoqëri, theksohet se shtetet që shënuan suksese në kampionatet e futbollit, më pas shënuan suksese edhe në sferat tjera të jetës.

Futbolli e bashkon një komb rreth një qëllimi, por ndodh që nxjerr në pah edhe mëritë ndërmjet kombeve. Kjo ndodh me ballkanasit, të cilët, po aq sa fitoreve të tyre, u gëzohen humbjeve të popujve që i konsiderojnë si armiq…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.