Ilir Demiri për Qytetin e Sigurt: Ligji do kalonte edhe pa votën time

Deputeti i pavarur Ilir Demiri i cili së bashku me deputetët e VMRO-së, VLEN-it, ZNAM=it dhe Levicës votoi pro ndryshimeve ligjore të cilat e mundësuan që nga 1 shkurti të fillojë sistemi Qyteti i Sigurt, ka reaguar duke thënë se ndryshimet ligjore do kalonin edhe pa votën e tij, raporton Portalb.mk.

Demiri i cili deri para pak muajsh ishte deputet i Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, tani i pavarur, tha se kjo pikë e rendit të ditës do të kalonte pavarësisht votës sime, pasi ligji do të miratohej edhe me shumicë të cilësuar.

“Pavarësisht kësaj, qëndrimi im pro Safe City buron nga bindja ime se ky projekt nuk është në dëm të qytetarëve, por përkundrazi kontribuon në rritjen e rendit dhe sigurisë publike. Për këtë qëndrim timin, nuk ka pasur asnjë presion ndaj meje, sepse as nuk do ta kisha lejuar një gjë të këtillë kurrë dhe për asgjë”, tha Demiri.

Ai thotë se pretendimi se vota e tij ka qenë kundër shqiptarëve është i pavërtetë, i pabazuar dhe naiv.

“Statistikat zyrtare sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2021, tregojnë qartë se ky projekt nuk targeton asnjë komunitet, por zbatohet në qytetet më të mëdha, për të gjithë qytetarët. Unë do jem ai i cili do kërkoj që ky projekt të vazhdojë të instalohet, e të funksionojë edhe në qytetet tjera”, tha Demiri.