ANALIZË: Fiasko e investimeve publike në RMV, në vitin 2025 realizimi nën 66% (Infografik)
Nga ministritë me buxhete milionëshe për shpenzime kapitale, realizimin më të lartë e kishin Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Politikës Sociale. Në Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat kishin në dispozicion qindra miliona euro për investime publike, një e treta e parave mbetën të papërdorura. Disa ministri nuk arritën të realizonin as 10% të planit, ndërsa disa realizuan mbi 90% të asaj që ishte planifikuar. Në vitin 2025, shpenzimet kapitale u realizuan në masën 65,76%. Analiza ekonomike javore e Portalb.mk i rendit ministritë sipas madhësisë së buxheteve të tyre dhe nivelit të zbatimit të projekteve investuese.
Cila ministri sa para ka shpenzuar për investime kapitale
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, e cila është në krye për sa i përket shumës së shpenzimeve kapitale, të cilat vitin e kaluar ishin pozicionuar në mbi 252 milionë euro, në vitin ekonomik 2025 pati një realizim prej 73,1%. Ministria e dytë me buxhetin “më të madh” për investimet në vlerë prej 124 milionë euro është Ministria e Mbrojtjes, e cila nga planit vjetor realizoi 64,3%. Realizimi i shpenzimeve kapitale në Ministrinë e Financave – funksionet e shtetit, nga e cila financohen projekte të mëdha kapitale si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, nga gjithsej 63 milionë euro, realizoi vetëm 32,2%. Ky segment i Ministrisë së Financave është gjithashtu “përgjegjës” për projektet komunale të financuara nga kredia hungareze.
Ministria e Punëve të Brendshme pati një realizim të konsiderueshëm prej 82,7% të buxhetit total në shumën prej 35,5 milionë eurosh. Ministria e Arsimit, e cila vitin e kaluar kishte 42,5 milionë euro për investime kapitale, në fund të vitit pati një realizim prej 60,4%, ndërsa Ministria e Bujqësisë nga shuma totale prej 9,1 milionë eurosh, shpenzoi 78,4%. Nga buxheti total për investime publike në vlerë prej 8,5 milionë eurosh, Ministria e Shëndetësisë shpenzoi 3,9 milionë euro ose 53,5% të shumës.
Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë nga gjithsej 7,1 milionë euro për investime publike, pati një realizim prej 78,8%, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor nga buxheti total prej 58,4 milionë eurosh, shpenzoi 70,3%, ndërsa Ministria e Energjisë realizoi 61,6%.

Grupi i sektorëve me realizim të ulët përfshin Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale me vetëm 16,2% dhe Ministria e Kulturës e cila shpenzoi një shumë të papërfillshme prej 9,6% të shumës totale për investime publike, ndërsa realizim më pak se 10% kishte edhe Ministria e Drejtësisë. Ministria e Ekonomisë dhe Punës, e cila vitin e kaluar pati një shumë tepër të vogël prej 124,000 eurosh për shpenzime kapitale, pati një realizim prej 41,5%. Realizim prej 55,2% pati në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Realizimi më të theksuar të shpenzimeve kapitale kanë Ministria e Administratës Publike, e cila shpenzoi 96,6% të shumës së planifikuar dhe Ministria e Transformimit Digjital me 90,6%. Në këtë grup është edhe Ministria e Sportit, e cila kishte një shumë më të madhe për shpenzime kapitale prej mbi 8,5 milionë eurosh, nga të cilat shpenzoi 96,9% të kësaj shume. Realizim zero të investimeve kapitale ka Këshilli Inspektues, Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Byroja e Ekspertizës Mjekësore. Këtë vit, shpenzimet kapitale janë paraparë në një nivel prej 640 milionë eurosh. Ministria e Financave shpjegoi se niveli i investimeve publike këtë vit është më i ulët se vitin e kaluar për shkak të parashikimit real dhe strukturës së projekteve të planifikuara kapitale.
- LEXO: ANALIZË: Rroga mesatare u rrit për 10%, të ardhurat nga tatimi në FSPI u ulën, çfarë ndodhi me buxhetin e RMV-së në 2025?
- LEXO: Viti ekonomik 2026: Mes rritjes së paralajmëruar dhe goditjes nga çmimet e reja të rrymës e shëndetësisë
- LEXO: Ngjarjet ekonomike në 2025: Inflacion, kritika nga Brukseli, guvernatori i ri, kredi