Identitetet vrastare, “zbutja e panterës” dhe “shumësi në njëjës”

Identitetet vrastare është libër i Amin Maalouf-it kundër fanatizmit, ksenofobisë dhe mbylljes. Është një libër mbi konfliktet që lindin nga mitizimi i përkatësisë dhe një ftesë intelektuale për t’i pranuar përkatësitë e ndryshme identitare. (Amin Maalouf, Identitetet vrastare, përktheu: Arben Kumbaro, Onufri, Tiranë, 2006.)

Maalouf beson se bota mund të qetësohet vetëm nëse i pranojmë identitetet e ndryshme. Mohimi dhe luftimi i tyre shkakton vetëm dhunë, vrasje, terror, luftëra, krime, spastrime etnike dhe gjenocide, që bëhen në emër të kombit, fesë, racës ose qytetërimit. Masakrat legjitimohen kur “Tjetri” shihet si kërcënim. Atëherë xhelatët bëhen viktima dhe viktimat bëhen xhelatë. “Ne” jemi viktimat e pafajshme dhe “Ata” janë fajtorët. Tmerret në Ruandë dhe ish-Jugosllavi lidhen me “dosje identitetesh”

Identiteti formësohet nëpërmjet mbylljes ose hapjes ndaj “Tjetrit”. Me sjelljen tonë ndikojmë që “Tjetri” të mbyllet në identitetin e ngushtë ose të hapet ndaj “të tjerëve”. Duke e pranuar “Tjetrin”, arrijmë t’i shohim te vetja “varësitë, kontributet, përzierjet, ndikimet e ndryshme dhe të padukshme”. Më nuk ka “Ne” dhe “Ata”

IDENTITETI SI PASURI DHE TRAUMË. A mund t’i zhdukim keqkuptimet në këtë shumësi identitetesh? A mund ta bëjmë “zbutjen e panterës” dhe pajtimin e identiteteve?

Kjo bëhet vetëm kur nuk e fryjmë identitetit tonë për qëllime të ndryshme, sepse fryrja shkakton krime.

Maalouf-i thotë se nuk ka identitet të betonuar, i cili jepet njëherë e përgjithmonë. Identiteti ndryshon në varësi të rrethanave dhe plotësohet në vazhdimësi. Nuk ka as “pastërti” të identitetit, kurse reduktimi i tij në një përkatësi të vetme fabrikon masakra. Njeriu u përket disa traditave kulturore. Si ngjizje identitetesh dhe bashkësi përkatësish, ai nuk ka të drejtë që identitetin e tij ta paraqesë si superior.

Shumësia e identiteteve është pasuri, por mund të jetë edhe traumë. Varësisht si e trajtojmë. Secili njeri ndeshet me përkatësi të shumëfishta. Përkatësitë mund ta kundërshtojnë njëra – tjetrën dhe ta detyrojnë njeriun të bëjë zgjedhje të dhimbshme. Nën kushte të caktuara, ndodh t’i japim vlerë parësore vetëm një forme identitare. Fëmijët nga martesat e përziera ndodh ta zgjedhin njërin identitet dhe ta mohojnë tjetrin. Vetëm kur i përballojnë dy përkatësitë, nuk marrin pjesë në masakra etnike. Duke e pranuar shumëllojshmërinë e përkatësive, ata mund të bëhen “ura” midis kulturave të ndryshme.

PERCEPTIMI I IDENTITETIT. Identitetet mund të perceptohen ndryshe në kohë dhe në hapësirë. Gruaja apo racat nuk pranohen njësoj nëpër vende dhe kultura të ndryshme.

Maalouf-i thotë se njeriu e mbron përkatësinë që i sulmohet më shumë. Aty ku cenohet një identitet shfaqen flamurtarë dhe “nga ky çast lufta mund të fillojë”. Sepse, kur e ndjejmë se na rrezikohet fisi, atëherë kalojmë në çmenduri vrastare.

Perceptimi për identitetin tonë dhe të “Tjetrit” ndryshon në kohë tensionesh etnike. Atëherë ndodh të përligjet e keqja që u ndodh të Tjerëve. Tensionet etnike mund ta bëjnë vrasës secilin njeri. Nacionalizmi kërkon fajtorë për problemet, në vend se t’i zgjidh. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi u vranë njerëz të pafajshëm për shkak të identitetit të tyre kolektiv.

IDENTITETI I EMIGRANTIT DHE MINORITARIT. Kemi identitet personal dhe kolektiv. Zagorka Goluboviq, në librin Unë dhe Tjetri (1999), thotë se identiteti personal krijohet në bazë të dallimeve të individëve nga grupi, kurse identiteti kolektiv bazohet te ngjashmëritë e individëve brenda grupit, siç janë: gjuha, kultura, traditat, zakonet, mitet.

Maalouf flet për identitetin e tij personal në raport me identitetin kolektiv. Ky shkrimtar dhe eseist francez me origjinë libaneze, thotë se brenda tij nuk ka shumë identitete, por një identitet me shumë elemente. Kjo qasje na kujton thënien e Hannah Arendt-it se njeriu është “shumës në njëjës”. Identiteti me shumë elemente është kompleks, ashtu sikurse identiteti i Maalouf-it. Ai është i krishteri që e flet arabishten. Njerëzit me kësi identiteti ndodh të ndjehen të anashkaluar. Kësi identiteti ka emigranti ose minoritari.

Emigranti është i huaj në vendin pritës dhe në vendin e origjinës. Por bota ka ndryshuar. Sot njerëzit kudo jetojnë si emigrantë ose si minoritarë. Identiteti ynë, sikurse e kemi përfytyruar në fëmijëri, është i kërcënuar, thotë Maalouf.

Njerëzit shkojnë në vendin pritës për jetë më të mirë, por aty gjejnë një vend të papërshtatshëm. Emigranti dëshiron të pranohet si vendës, prandaj e ka tundimin fillestar për t’i imituar vendësit. Maalouf thotë se nganjëherë ia dalin, por në më të shumtën e rasteve nuk e arrijnë dot. Kur emigranti nuk pranohet në shoqërinë e re, atëherë ai shfaq frustrime në formë brutale. Tensionet ndërmjet popullsisë autoktone dhe ardhëse “mund të çojnë në situata tragjike”.

Maalouf bën thirrje për reciprocitet. Emigranti sa më shumë merr nga kultura e vendit pritës, aq më shumë i jep nga kultura e tij. Sa më shumë i respektohet kultura e origjinës, aq më shumë hapet ndaj kulturës së vendit pritës dhe e fiton të drejtën për t’i kritikuar “të tjerët”. Kjo e drejtë fitohet nëpërmjet integrimit në vendin pritës. Në të kundërtën, kur “Tjetri” shihet me armiqësi, ai egërsohet dhe mbyllet në vetvete.

“Kur na përbuzet gjuha, na përçmohet feja, na zhvlerësohet kultura, reagojmë duke u krekosur me kokëfortësi për veçantitë tona; ndërsa kur ndjehemi të respektuar, ndërsa e shohim që na përket një hapësirë në vendin që kemi zgjedhur për të jetuar, atëherë natyrisht ndryshe përgjigjemi(…) Për të shkuar me vendosmëri drejt tjetrit, duhet t’i kesh krahët hapur dhe kokën lart, dhe mund të jemi krahëhapur vetëm nëse e mbajmë kokën lart. Nëse, në çdo hap që bëjmë, jetojmë me idenë se kemi tradhtuar njerëzit tanë, dhe se duhet të vetëmohohemi, përpjekja në drejtim të tjetrit cenohet; nëse ai tjetri, gjuhën e të cilit unë mësoj, nuk e respekton timen, të folurit e gjuhës së tij nuk mund të jetë më një shenjë hapjeje, ai shndërrohet në një akt detyrues dhe nënshtrues” (f.44)…

PARAGJYKIMET FETARE. Maalouf u kushton shumë rëndësi paragjykimeve fetare. Duke u mbështetur në fakte historike, ai i kundërshton “paragjykimet e vjetruara armiqësore” ndaj fesë Islame dhe është kritik ndaj atyre që thonë se kjo fe është e papajtueshme me lirinë. Ai mendon se pjesëtarët e një besimi duhet të lihen të lirë që ta vetëpërcaktojnë se çfarë është e pranueshme për ata. Njëkohësisht është kundër keqpërdorimit të religjionit, si pasojë e interpretimeve të librave të shenjtë për qëllime të ndryshme.

“Teksti nuk ndryshon, është këndvështrimi ynë ai që ndryshon. Por teksti vepron mbi realitetin e botës vetëm nëpërmjet vështrimit tonë, i cili në disa epoka, ndalet në fjali të caktuara dhe, në disa të tjera, shkon shkarazi pa i parë ato.” (f.49.)

Maalouf nuk e sheh problemin sipas një skeme të paracaktuar. Sipas tij, është e rrezikshme kur një fe paraqitet si mbrojtëse e modernizmit, lirisë, tolerancës, demokracisë dhe tjetra paraqitet vetëm si mbartëse e despotizmit dhe obskurantizmit. Besimtari beson në dinjitetin e qenies njerëzore, shton ai.

Maalouf-i thotë se “në historinë myslimane, bashkekzistenca dhe toleranca kanë pasur jetë të gjatë”, edhe kur nuk ishin të shprehura në Europë. Përderisa në Stamboll jetonte popullatë jomyslimane, nuk paramendohej të kishte popullatë myslimane në Paris, Londër, Vjenë ose në Berlin. Madje, botë myslimane kishte edhe “protokoll tolerance”.

“Për mua Historia e ka treguar qartë se islamizmi mbart në vetvete mundësi të mëdha të bashkëjetesës e të bashkëveprimit të ngjizura me kulturat e tjera, por Historia më e re flet gjithashtu për një regres të mundshëm”. (f.57.)

Maalouf mendon se çdo shoqëri që e ndjen veten të sigurt “di të tregohet e hapur”, kurse shoqëritë e pasigurta “pasqyrojnë frikë, fanatizëm dhe ankth”. Ndërkaq, lëvizjet fanatike nuk janë prodhime të kulluara të historisë, por krijesa të epokës.

MESAZHE. Amin Maalouf thotë se në realitetin e ri duhen të rishikohen qëndrimet dhe zakonet tona; se njerëzit dhe kombet duhet të inkurajohen për t’u hapur ndaj kulturave të tjera dhe njëkohësisht, njeriu, siç tha Frojdi, duhet ta mbrojë të drejtën për liri individuale kundrejt vullnetit të masave.

Nga ky libër, ku vlerësohet njeriu, dialogu, paqja dhe bashkëjetesa, mund të nxjerrim shumë mesazhe. Ta kuptojmë “Tjetrin”. T’i refuzojmë ekstremet. Religjioni mos bëhet bazë e nacionalizmit (“Nuk ëndërroj një botë pa religjion, por një botë ku nevoja për shpirtëroren nuk është e njëjtë me nevojën për përkatësi”). Të mos keqpërdoren identitetet fetare dhe kombëtare për t’i përligjur krimet kundër njerëzimit. Të mos mbyllemi brenda konceptimit fisnor për identitetin. Ta zbusin “panterën e zezë” të identitetit. Çdo identitet ta ketë vendin e vet në trashëgiminë universale. Askush mos përjashtohet nga qytetërimi. Të nxitet dialogu ndëretnik, ndërfetar e ndërkulturor. Të nxitet ndjenja e respektit ndaj identiteteve. Të çmohet diversiteti. Të priremi nga kompromisi ose mesatarja e artë. Nevoja për përkatësi kolektive, qoftë ajo kulturore, kombëtare ose fetare të mos nxisë frikë nga “Tjetri”. Secila përkatësi të pranohet me tolerancë, pa frikë dhe mëri. “Tjetri” mos shikohet si qenie inferiore, vetëm pse nuk e ka identitetin tonë. Pra, të nxitet dëshira për vëllazëri dhe jo për vrasje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.