Për një vit në Maqedoninë e Veriut janë mbledhur 62 milionë euro nga pagesat rrugore

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore sot ka shënuar 4 majin – ditën e shërbimeve pagesore, duke njoftuar që vazhdimisht ka rritje buxheti i pagesave që kryen nga qytetarët nëpër rrugët e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Në vitin 2020 nga mjetet e grumbulluara në bazë të taksave rrugore janë realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro ndërsa vitin 2023 e përmbyllëm me 62 milionë euro”, raportoi Ndërmarrja, duke premtuar që këto mjete shfrytëzohen për rrugë të reja dhe moderne.

Ndërmarrja në Ditën e shërbimeve pagesore përkujtoi që 37 vjet më parë u arkëtua bileta e parë e automjetit të parë që kaloi në një nga tre pikat pagesore.

“Qëllimi ynë është ai që ka filluar vitin e kaluar, projekti për modernizimin e pikë pagesave në Korridorin 8, Gllumovë dhe Zhelinë që këtë vit ta përfundojmë me sukses”, paralajmëroi Ndërmarrja.

Ndryshe, Arbana Pasholli nga BDI, Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa dhe Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët janë tre deputetët shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë harxhuar më shumë para për shpenzime rrugore (pikë pagesa dhe benzinë) gjatë vitit 2023.

Nga deputetët shqiptar më pak para kanë shpenzuar Abdulla Saliu nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Ziberi nga BDI dhe Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.