Historike: Loreen fitoi Eurovizionin dy herë për Suedinë, Shqipëria doli e 22-ta
Festivali Evropian i Këngës “Eurovizion” këtë vit u fitua nga Suedia, Loreen është këngëtarja e cila fiton dy herë këtë festival. Këtë vit, ajo triumfoi me këngën “Tattoo”. Shqipëria doli e 22-ta në listë, shkruan Portalb.mk.
Me këtë fitore, Eurovizioni vitin e ardhshëm do të mbahet në Suedi. Loreen është këngëtarja e dytë në historinë e Eurovizionit që fiton këtë festival dy herë, herën e parë ajo fitoi në vitin 2012 me këngën “Euphoria“.
Deri tani këtë rekord e mbante këngëtari irlandez Johnny Logan i cili fitoi këtë festival dy herë, në 1980 dhe 1987.
“Është e jashtëzakonshme. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese. Faleminderit për këtë (fitore). Kjo është për ju. Faleminderit”, tha Loreen pasi fitoi festivalin.
Kjo fitore e bën Suedinë si shteti që ka fituar më së shumti këtë festival, shtatë herë. Kaq fitore ka edhe Irlanda.
Pas Suedisë u radhitën Finlanda, Izraeli, Italia dhe Norvegjia. Ndërsa në fund të listës dolën Serbia, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Shqipëria performoi e dhjeta me radhë dhe sipas votave arriti të del e 22-ta. Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga Albina dhe familja “Kelmendi” të cilët vijnë nga Kosova, me këngën “Duje”.
Albina u ngjit në skenë me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive.
Në finale si mysafirë specialë performuan disa nga fituesit e Eurovizionit ndër vite.
Këtë finale konkurruan 26 shtete, 20 prej të cilave garuan në gjysmëfinalen e parë të martën, dhe gjysmëfinalen e dytë të enjten, pesëshja e madhe, si dhe fituesi i vitit të kaluar Ukraina.
Maqedonia e Veriut për herë të parë që nga viti 2004 nuk mori pjesë në garë, ku tërheqja sipas Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) erdhi për shkak të krizës energjetike dhe financave.
Kosova nuk merr pjesë në Eurovizion sepse transmetuesi i tyre publik nuk është anëtar i Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU).
Eurovizioni sivjet u mbajt në Liverpull të Britanisë së Madhe. Sipas rregullave, Ukraina do duhej të ishte nikoqire e festivalit pasi “Kalush Orkestra” vjet doli fituese. Por, nuk mundi ta organizojë festivalin për shkak të agresionit rus. Kështu, stafetën për organizimin e tij e mori Britania e cila vjet doli e dyta në garë.
- LEXO: Sonte finalja e Eurovizionit: Shqipëria këndon e dhjeta, ja si votohet nga RMV-ja
- LEXO: Shqipëria në finale të Eurovizionit: Kelmendët elektrizuan skenën, ja shtetet tjera që kaluan
- LEXO: Filloi Eurovizioni: Këto shtete kaluan gjysmëfinalen e parë, Rita Ora e ftuar speciale
- LEXO: Eurovizioni fillon nesër: RMV-ja nuk merr pjesë, familja Kelmendi përfaqëson Shqipërinë