Filloi Eurovizioni: Këto shtete kaluan gjysmëfinalen e parë, Rita Ora e ftuar speciale

Festivali Evropian i Këngës i njohur ndryshe si “Eurovizion” filloi sonte me gjysmëfinalen e parë, ku nga pesëmbëdhjetë shtete pjesëmarrëse, vetëm dhjetë kaluan në finale. Këngëtarja shqiptare, Rita Ora ishte e ftuar speciale në këtë mbrëmje, shkruan Portalb.mk.

Shtetet të cilat siguruan vende në finale janë: Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Çekia, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia.

Ndërkaq garën për këtë vit e përmbyllën: Azerbajxhani, Irlanda, Holanda, Letonia dhe Malta.

Pasi mbaruan këngët e shteteve konkurruese, në  skenë u ngjit Rita Ora, artistja e cila para më shumë se dhjetë viteve bënte audicione për të prezantuar Brianinë e Madhe në këtë festival, por sonte u ngjit në skenë si e ftuar speciale, si një artiste e rangut botëror.

“Wow, çfarë nderi dhe një moment i plotë rrethi të jem në skenën kryesore të Eurovizionit duke interpretuar disa nga këngët e mia të preferuara dhe këngën time të re  Praising You. Shpresoj se ju pëlqeu aq shumë sa mua më pëlqeu ta performoja. Shumë dashuri për të gjithë ata që e shikojnë në të gjithë Evropën dhe natyrisht në Ukrainë. Qëndroni të fortë”, shkroi Rita Ora menjëherë pas performancës në rrjetin e saj Facebook.

Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet të enjten dhe do të konkurrojnë 16 shtete, ndërsa finalja e madhe ditën e shtunë me fillim nga ora 21:00.

Maqedonia e Veriut këtë vit për herë të parë që nga viti 2004 nuk merr pjesë në garë. Tërheqja nga konkursi sipas Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) erdhi për shkak të krizës energjetike dhe financave.

Shqipëria përfaqësohet nga Albina dhe familja Kelmendi, të cilët vijnë nga Kosova me këngën “Duje“. Albina në skenë do të ngjitet me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive. Kelmendët do të ngjiten në skenë gjysmëfinalen e dytë.

Eurovizioni sivjet mbahet në Liverpull të Britanisë së Madhe. Sipas rregullave, Ukraina do duhej të ishte nikoqire e festivalit pasi vjet doli fituese. Por, nuk mundi ta organizojë festivalin për shkak të agresionit rus. Kështu, stafetën për organizimin e tij e mori Britania e cila vjet doli e dyta në garë.