Eurovizioni fillon nesër: RMV-ja nuk merr pjesë, familja Kelmendi përfaqëson Shqipërinë
Festivali Evropian i Këngës i këtij viti fillon nesër mbrëma. Eurovizioni këtë vit mbahet në Liverpool Arena në Mbretërinë e Bashkuar. Maqedonia e Veriut për herë të parë pas njëzet vjetësh nuk do të merr pjesë në këtë garë, pasi Radio-Televizioni i Maqedonisë (RTM) njoftoi se nuk do të marrë pjesë për shkak të krizës energjetike dhe reduktimit financiar. Shqipëria përfaqësohet nga Familja Kelmendi, transmeton Portalb.mk.
Ukraina duhej të ishte nikoqire e festivalit të sivjetshëm, pas fitores së vitit të kaluar të Kalush Orkestrës. Por, për shkak të pushtimit rus të vendit, një gjë e tillë nuk është e mundur, kështu që Eurovizioni i sivjetshëm do të organizohet nga BBC-ja britanike.
Britania e Madhe zuri vendin e dytë vitin e kaluar me artistin Sam Ryder dhe këngën “Space Man”.
Gjysmëfinalja e parë është planifikuar të mbahet nesër në mbrëmje me fillim nga ora 21:00, ndërsa e dyta të enjten. Finalja e madhe do të zhvillohet të shtunën, më 13 maj.
Slogani i kompeticionit më të madh evropian të muzikës këtë vit është “United By Music” (Të bashkuar nga muzika). Në Eurovizion do të performojnë gjithsej 37 shtete, pra tre më pak se vitin e kaluar pasi përveç Maqedonisë së Veriut, u tëroq Bullgaria dhe Mali i Zi. Nga vendet e rajonit, Serbia dhe Kroacia do të performojnë nesër në mbrëmje, ndërsa Shqipëria dhe Greqia në natën e dytë gjysmëfinale.
Sipas basteshkruesve, shanset më të mira për të fituar këtë vit i ka përfaqësuesja suedeze Loreen, e cila tashmë fitoi vendin një herë – në vitin 2012 me këngën “Euphoria”.
Nëse fiton sërish këtë vit, Loreen do të jetë këngëtarja e dytë në histori që fiton dy herë këtë kompeticion. Këngëtari irlandez Johnny Logan është i vetmi që e ka fituar këtë konkurs tre herë – dy herë si interpretues dhe një herë si autor këngësh.
Përveç Suedisë, si favorite shikohen Finlanda, Franca dhe Ukraina.
Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga Albina dhe familja Kelmendi, të cilët vijnë nga Kosova me këngën “Duje“. Albina në skenë do të ngjitet me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive. Kelmendët do të performojnë gjysmëfinalen e dytë.
Gjysmëfinalen e parë, në skenë si mysafire speciale do të ngjitet edhe këngëtarja me famë botërore nga Kosova, Rita Ora.
Për herë të parë që nga viti 2004, Maqedonia e Veriut nuk do të ketë përfaqësuesin e saj në Eurovizion. Njoftimin e parë për tërheqjen nga gara, shërbimi publik RTM e dha gjatë Eurovizionit vitin e kaluar, kur përfaqësuesja maqedonase Andrea shkaktoi një ortek reagimesh në opinion sepse për të bërë një foto e hodhi nga dora flamurin maqedonas.
Më pas RTM deklaroi se për shkak të “imazhit negativ” të krijuar rreth pjesëmarrjes së përfaqësuesve tanë, po shqyrtohet mundësia që vendi të mos marrë më pjesë në Eurovizion.
Konfirmimi zyrtar për tërheqjen nga konkursi erdhi në tetor, por më pas RTM dha një arsyetim tjetër për një vendim të tillë – duke përmendur krizën energjetike dhe financat si arsyet kryesore për tërheqjen nga Eurovizioni.
Pavarësisht mos pjesëmarrjes, tifozët e Eurovizionit në vend do të kenë mundësinë të ndjekin transmetimin e në RTM, madje edhe të votojnë përmes aplikacionit zyrtar celular ose drejtpërdrejt në faqen e Eurovizionit.