Sonte finalja e Eurovizionit: Shqipëria këndon e dhjeta, ja si votohet nga RMV-ja

Sonte me fillim në ora 21 mbahet finalja e madhe e Festivalit Evropian të Këngës “Eurovizioni”. Shqipëria do të këndojë e dhjeta me radhë. Kjo është mënyra e votimit nga Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Në këtë finale do të këndojnë gjithsej 26 shtete, 20 prej të cilave garuan në gjysmëfinalen e parë të martën, dhe gjysmëfinalen e dytë të enjten, pesëshja e madhe (Gjermania, Franca , Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar), si dhe fituesi i vitit të kaluar Ukraina.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga Albina dhe familjaKelmendi” të cilët vijnë nga Kosova, me këngën “Duje”.

Albina do të ngjitet në skenë edhe sonte me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive.

Kjo është radhitja e shteteve në garën e sotme:

Radhitja e shteteve pjesëmarrëse në finalen e Eurovizionit. Foto: Eurovision Song Contest (Facebook)
Radhitja e shteteve pjesëmarrëse në finalen e Eurovizionit. Foto: Eurovision Song Contest (Facebook)

Si mund të votoni nga Maqedonia e Veriut?

Maqedonia e Veriut edhe pse për herë të parë që nga viti 2004 nuk merr pjesë në garë, ku tërheqja sipas Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) erdhi për shkak të krizës energjetike dhe financave, përsëri do të mund të votojë, pasi me ndryshimet e këtij viti në lidhje me votimin, edhe shtetet jo pjesëmarrëse mund të votojnë.

Votimi nga Maqedonia e Veriut dhe shtetet tjera jo pjesëmarrëse bëhet përmes platformës online www.esc.vote. Ndërkaq shtetet të cilat marrin pjesë në festival, mund të votojnë edhe përmes mesazheve.

Votimi do të hapet pas interpretimit të këngës së fundit dhe do të jetë i hapur për rreth 40 minuta.

Eurovizioni sivjet mbahet në Liverpull të Britanisë së Madhe. Sipas rregullave, Ukraina do duhej të ishte nikoqire e festivalit pasi “Kalush Orkestra” vjet doli fituese. Por, nuk mundi ta organizojë festivalin për shkak të agresionit rus. Kështu, stafetën për organizimin e tij e mori Britania e cila vjet doli e dyta në garë.