Ende asgjë nga premtimi elektoral për ndërtim dhe zgjerim të rrugëve dytësore në Frëngovë të Strugës

Pak para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 brenda fshatit Frëngovë të Strugës u asfaltuan disa rrugë e rrugica ndërsa “ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore në f. Frëngovë” ishte premtim elektoral i kryetarit aktual të Komunës së Strugës gjatë fushatës zgjedhore. Autoritet lokale në Strugë nuk u përgjigjën në kërkesën tonë për të na informuar se çfarë bëhet në këtë drejtim përderisa nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se ky premtim parazgjedhor ende nuk është realizuar, shkruan Portalb.mk

Gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2021, kandidati fitues në Komunën e Strugës Ramiz Merko, në programin e tij zgjedhor Agjenda e Blertë (Faqe 62), mes tjerash premtoi ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve në fshatin Frëngovë. Premtimi i bërë në kuadër të kategorisë “Investime nëpër fshatra” nuk përkufizohet me detaje konkrete dhe një datë se kur planifikohet të finalizohet si projekt.

Agjenda e Blertë 2021-2025 Komuna e Strugës
Agjenda e Blertë 2021-2025 Komuna e Strugës

Portalb.mk vizitoi fshatin Frëngovë për të parë nga afër për të parë nëse është bërë ose nëse po punohet aktualisht në ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve të këtij fshati. Disa banorë të fshatit që i takuam rastësisht na thanë se para zgjedhjeve lokale u asfaltuan disa rrugë brenda fshatit por pas zgjedhje nuk ka pasur aksion për ndërtim apo renovim të rrugëve dhe rrugicave të këtij fshati. Gjendjen e disa rrugëve brenda fshatit Frëngovë mundet ta shikoni dhe në foto galerinë më poshtë. Për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje dërguam kërkesë për informacion në Komunën se Strugës. Nga zyra e PR-it në këtë institucion na konfirmuan kërkesën për informacion dhe na thanë se është dërguar për shqyrtim në sektorin përkatës, megjithatë nga data 13 prill kur kontaktuam për herë të parë këtë institucion deri më sot në adresën tonë nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Nga partia opozitare më e madhe në Komunën e Strugës, Aleanca për Shqiptarët, e kritikojnë cilësinë dhe profesionalizimin në përpunimin e programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”. Kryetari i degës së ASH-së në Strugë Lulzim Nasufi thotë se në këtë fshat në fakt nuk është bërë asgjë për dy premtimet e dhëna gjatë zgjedhjeve lokale.

“Në lidhje me premtimet e potencuara tek “Agjenda e Blertë” me mbi 100 projekte të përmendura për Strugën, dhe realizimet e deritanishme të Kryetarit të Komunës Ramis Merko, në mënyrë të përgjithshme mund të konstatohet se në teren nuk ndodh asgjë. Situata me premtimet dhe realizimet është e atillë sa më edhe vetë Merko që është në vitin e dytë të mandatit të katërt të tij, nuk beson në realizimin e tyre, e ku më qytetarët. Konkretisht në Frengovë ku janë premtuar dy projekte, në teren nuk ndodh asgjë, as në zgjerim te rrugëve, as në mbushjen e gropave, e asnjë aktivitet në kompletimin e rrjetit të kanalizimit. Me kanalizimin situata në përroin e fshatit ku derdhen ujërat fekale është e padurueshme nga era, është dëmtuar ambienti, pra skandaloze. Në moment të reshjeve atmosferike, sipas banorëve ndodh që ujërat fekale të depërtojnë në brendësi të shtëpive të banorëve”, u shpreh për Portalb.mk, kryetari i degës së ASH-së në Strugë Lulzim Nasufi.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugëve brenda fshatit frëngovë, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMI
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 62, verifikuar më 07.05.2023