Shqipëria në finale të Eurovizionit: Kelmendët elektrizuan skenën, ja shtetet tjera që kaluan

Shqipëria u kualifikua në finale të Festivalit Evropian të Këngës “Eurovizion”. Albina dhe Familja Kelmendi e kaluan gjysmëfinalen e dytë e cila u mbajt sonte, kështu duke siguruar pjesëmarrjen në finalen e madhe. Në këtë gjysmëfinale u kualifikuan edhe nëntë shtete tjera, shkruan Portalb.mk.

Shtetet tjera të cilat siguruan një vend në finale janë: Qiproja, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

Shtetet të cilat u skualifikuan sonte janë: Danimarka, Gjeorgjia, Greqia, Islanda, Rumania dhe San Marino.

Shqipëria, e cila sivjet përfaqësohet nga Albina dhe familja Kelmendi, të cilët vijnë nga Kosova me këngën “Duje“, u ngjit në skenë e katërmbëdhjeta me radhë.

Albina në skenë u ngjit me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive.

Emri i Shqipërisë u përmend i pari si finalist, edhe pse përmendja e finalistëve ishte në radhitje të pacaktuar.

“Jemi shumë të lumtur, jemi shumë të emocionuar dhe jemi shumë krenar për shqiptarët e mi, për shtetin tim”, tha Albina Kelmendikonferencën për shtyp e cila u mbajt menjëherë pasi mbaroi gjysmëfinalja e dytë.

Kelmendët falënderuan të gjithë që kanë votuar për to duke shpresuar se nuk do të zhgënjejnë në finale.

Gjysmëfinalja e parë u mbajt të martën, ku në finale kaluan dhjetë shtete, edhe atë:  KroaciaMoldaviaZvicraFinlandaÇekiaIzraeliPortugaliaSuediaSerbia dhe Norvegjia.

Finalja e madhe do të mbahet të shtunën me fillim në ora 21, ku do të performojnë 26 shtete, shtetet e lartpërmendura dhe pesëshja e madhe: Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja. Si dhe fituesi i vitit të kaluar, Ukraina.

Maqedonia e Veriut këtë vit për herë të parë që nga viti 2004 nuk merr pjesë në garë. Tërheqja nga konkursi sipas Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) erdhi për shkak të krizës energjetike dhe financave.

Eurovizioni sivjet mbahet në Liverpull të Britanisë së Madhe. Sipas rregullave, Ukraina do duhej të ishte nikoqire e festivalit pasi “Kalush Orkestra” vjet doli fituese. Por, nuk mundi ta organizojë festivalin për shkak të agresionit rus. Kështu, stafetën për organizimin e tij e mori Britania e cila vjet doli e dyta në garë.