“Unintelligent people always look for a scapegoat.”
Ernest Bevin
Njeriu me shkollë, i edukuar, që vetes i thotë intelektual duhet të ketë disa manire, një kulturë të veçantë, me të cilën dallon nga të tjerët, në veçanti nga ‘njeriu i rrugës’. Ai duhet të jetë fanar i shoqërisë, duhet të ketë vizion, të jetë largpamës, të ketë botëvështrim universal, duhet të ketë qasje pozitive në komunikim dhe respekt për çdokë, për çdo qenie humane dhe përtej, madje edhe për botën materiale e të vdekur. Ai per definitionem, duhet të jetë model, shembull në fjalim, trajtim, analizim të gjërave. Ai s’guxon të hedhë xhama të thyer rrugës, s’guxon të katapultojë “vulgaritete mediatike”.
Para disa ditëve një person me inicialet “shkronja 1 dhe 27 e alfabetit të shqipes”, historian me vokacion, në një emision në TV atakoi një figurë emblematike të shqiptarëve, një teolog, hoxhë, pjesëtar i UÇK-së, një edukator brezash, audio-video ligjëratat e të cilit – edhe pas kalimit në amshim – afirmojnë dhe mbajnë gjallë vlerat dhe virtytet ndër popullatën që flet gjuhën tonë, në trojet shqiptare e diasporë. Ta quash mashtrues të ndjerin Jakup Asipi është një deficit bontoni, një vetëpërçmim, një mëkat social i përmasave të krimit komunikologjik.
Diskursi i vetëorientalizimit shqiptar, gjegjësisht i përbuzjes së gjithçkaje që lidhet me elementin religjioz më të madh shqiptar është bërë një klishe që gufon injorancë sociologjike, antropologjike, kulturologjike. Është mosnjohje e vetes, ose përkufizim i vetes sipas instruksioneve të të huajit historik armiqësor. Është mbyllje e të vërtetës historike me të vërtetën serbe, sllave që gjithnjë i sulmon shqiptarët në bazë të islamit. Kjo është një “traditë shkencore” komuniste, që më pas të jetë në akord me rrjedhat globale për demonizimin e kësaj feje që bëhet nga qarqet islamofobike. Të trembesh nga vetja, nga ajo që je, është inherente vetëm për koka jostabile, për personalitete që kanë humbur torruan identitare.
“Ahmakllëku intelektual” që po serviret nga elitarët e kompleksuar është një gjë s’e ha pazari më, është një gjë e dalë mode, janë shkelmat e fundit të “dijetarëve” dhe mediatikëve që kujtojnë se mashtrojnë botën duke fshehur një të vërtetë të pamohueshme. S’ka njeri në botë që vërtetësisht e respekton hipokritin identitar, që mbulon realitetin që çdokush e di dhe s’mund të fshehet sikur që nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Ti mund ta kesh emrin më oksidental, më perëndimor, por ama sa të shikojë tjetri mbiemrin ose emrin e babait, gjyshit e kupton se kush je në fakt. Po ti me çorapë mor ecën nëpër shtëpi, allahilen e përdor pa një pa dy… Po Xhaka i Bazelit në Sunderland çka që po thotë mor jahu: “Alhamdulilah for everything”?
Po t’iu thuash sociologëve të huaj se ndër nje pjesë të mirë të intetelektualëve shqiptarë vlen teza “ku ka fe s’ka komb (ndjenjë kombëtare), dhe ku ka komb s’duhet të ketë fe”, se duhet të zgjidhet njëra prej të dyjave, do ishin kapur kokën me dorë nga irracionaliteti i protezhuar përmes “shkencës” dhe dezinfo-mediave. Veç ne shqiptarët kemi ”tjetrin” (islami dhe myslimanët) brenda nesh, që në fakt jemi “ne”, kemi tjetrizimin e myslimanëve nga shpura shkollare agnostike-laike-myslimane, dhe të tjerë, që e konsiderojnë veten të hemisferës tjetër, edhpse është e mirënjohur: jemi ballkanas dhe europianë. Intelektuali nuk paragjykon, nuk etiketon, nuk përbalt askënd, ai me këmbët për toke dhe me metoda objektive kërkon zgjidhje për problemet aktuale dhe të së ardhmes.
Ky diskurs a ligjëratë marroqe është punë e hiç-intelektualëve, një kujtesë e hidhur se diploma dhe titujt nuk krijojnë domosdoshmërisht mendjendritur, sublimitet dhe kulturë. Ajo që i jep kuptim intelektualit nuk është skena, statusi, por veprimi; jo kostumi, por përmbajtja morale dhe kurajoja për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo nuk pëlqehet, guximi për të qenë uni, vetja jo shtirja e vetëshitja. Hiç-intelektuali nuk është thjesht një njeri i painformuar; përkundrazi, ai shpesh ka tituj dhe një reputacion formal. Problemi qëndron te roli që luan: ai e sheh dijen jo si mision shërbimi, por si dekor personal, si defilim. Në vend të analizës kritike, ofron fraza të përgjithshme dhe konformizëm. Në vend të sfidimit të padrejtësive, ai krijon padrejtësi.
Forma më barbare e intelektualit është ajo e goditjes pas shpine, e sulmit edhe e njerëzve të vdekur pa i vënë nën lupë siç duhet. Edhe më e keqja, hapja e kanalit të përçarjes brendakombëtare duke bërë analogji mes dy aktorëve nga sfera të ndryshme, politikës (A. Xhaferi) dhe fesë (J. Asipi), duke afirmuar njërin dhe baltosur tjetrin. Kjo e vë adresantin para dilemës se cilin duhet përzgjedhur, kur në fakt secili ka kryer detyrën e vet në momentumin e caktuar historik. Njëri ka ushqyer mendjen politike, tjetri mirëqenien shpirtërore (spiritual well-being).
S’duhet lënë fajin vetëm dijetarisë laike, mëkatin e parë e mbartin promovuesit e ‘islamit të vërtetë ‘që dikur Hoxhën e sulmonin për “islam joautentik”, për t’i shkruar e kënduar më pas ilahi e për ta lartësuar, por kot, fjala kishte marrë dhenë. Atë që ia bën vetes s’ta bën dot tjetërkushi. Bëni tani apologji nëpër rrjete sociale sa të doni. Besimtaria ekskluziviste “e grupit të shpëtuar” prodhon profilin e tipave si “flamurshkelësi tiranas” që s’di se çka flet dhe çka mbron, që s’u mor vesh a mbronte flamurin një apo Zotin një. Kjo e dyta dukeshte më reale. Njerëzit reagojnë po ua shkele fanellën e klubit (futbolistik) të zemrës jo më për flamur shtetëror; këtë duhej ta dinte së paku besimtari që ndjek frymën fetare të influencerëve të da’ves shqiptare.
Dhe pyetja më e rëndësishme në këtë shkrim: Si u arrit të krijohet kjo antipati që njerëzit anekënd botës (përfshi edhe qarqe në Kosovë) ndiejnë ndaj islamit, ndaj kësaj feje të paqës e dashurisë? Pse kudo që të paraqitesh me ID-në islame merr feedback negativ? Zot na ruaj nga hiç-intelektualët dhe apologjetët/mbrojtësit e padenjë të fetarisë. Ndoshta më mirë ka qenë “çështja e historianit” të injorohej, por heshtja para padrejtësisë dhe të shëmtuarës është pjesëmarrje në to.
P.S.: Do lumturohesha dhe do ia bëja “ like” historianit në fjalë sikur ta kisha rastisur në rrjetet sociale në selfie nga ndonjë arkiv botëror me dorezat me pluhur e maskë në gojë apo në TV duke shpalosur ndonjë gjetje epokale nga një dokument markant i historisë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.