Ta pasurojmë shqipen së bashku, “Shqiptarisht” si laborator fjalësh të reja

Shkruan: Bardhyl Jashari, foto nga arkivi personal

Në përditshmërinë tonë digjitale, sidomos në informatikë dhe teknologji, ne përdorim pa e vënë re qindra fjalë të huaja: “software”, “pixel”, “update”, “deadline”, “feedback” e shumë të tjera. Shpesh i marrim të gatshme nga anglishtja, edhe pse shqipja ka mundësi të krijojë fjalë po aq të sakta, të qarta dhe të bukura. Fjala “pixel”, për shembull, vjen nga shprehja angleze “picture element”, element i figurës në ekran.

Pikërisht këtu hyn në skenë nisma e mrekullueshme e Fisnik Ismailit, përmes faqes fjale.shqiptarisht.com (“Shqiptarisht”). Një hapësirë e hapur ku të gjithë dashamirët e gjuhës mund të propozojnë fjalë shqipe për termat e huaj që përdorim çdo ditë, veçanërisht në teknologji, por edhe në fusha të tjera të jetës shoqërore e profesionale.

Kjo nuk është nismë e mbyllur për një rreth të caktuar ekspertësh, por një proces krejtësisht demokratik dhe pjesëmarrës. Mund të kontribuojnë gjuhëtarë, studentë, mësues, programues, gazetarë, krijues përmbajtjesh, përkthyes, profesionistë nga çdo fushë, si edhe të gjithë ata që thjesht e duan gjuhën shqipe dhe duan ta shohin atë të lulëzojë edhe në epokën digjitale. Qëllimi nuk është të luftojmë gjuhët e huaja, por të forcojmë e pasurojmë gjuhën tonë që ajo të mund të shprehë realitetin bashkëkohor.

Një shembull i bukur i këtij kreativiteti kolektiv është debati aktual rreth fjalës “pixel”. Në platformë po votohet për një zëvendësim shqip dhe gara është e fortë mes dy propozimeve kryesore: “pikëz” dhe “pikël”. “Pikëz” nuk është një shpikje krejt e rastësishme: ajo shfaqet tashmë në disa burime përkthimore si variant për “pixel”, duke e lidhur konceptin teknik me një fjalë krejt natyrale të shqipes. Ndërkohë, “pikël” ofron një formë fonetike të shkurtër e të rrjedhshme që shumë përdoruesve u tingëllon afër termit origjinal. Ky lloj debati nuk është thjesht lojë fjalësh; është laborator i gjallë i zhvillimit të gjuhës.

Kjo nismë ka rëndësi të veçantë për disa arsye. Së pari, ajo forcon identitetin tonë gjuhësor. Gjuha është një nga shtyllat kryesore të kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare; nëse duam që shqipja të jetojë dhe mbetet e fuqishme edhe në teknologji, shkencë e inovacion, duhet t’i japim asaj mjete moderne shprehëse. Së dyti, ajo e bën gjuhën më praktike për brezat e rinj, të cilët kalojnë një pjesë të madhe të ditës para ekraneve: në aplikacione, platforma, lojëra, rrjete sociale. Nëse shqipja nuk u ofron fjalë të natyrshme dhe të përdorshme në këto kontekste, ata do të vazhdojnë të mbështeten vetëm te anglishtja. Së treti, kjo nismë u vjen në ndihmë mësuesve, përkthyesve dhe akademikëve, të cilët shpesh përballen me dilema se si ta thonë një term teknik sa më qartë dhe sa më drejt shqip.

Print Screen nga ueb faqja e Shqiptarisht

Secili prej nesh mund të kontribuojë. Mjafton të mendojmë për fjalët e huaja që përdorim më shpesh në punë, në studime, në rrjete sociale, të shohim nëse dikush ka propozuar tashmë një variant shqip, të sugjerojmë ide të reja, ta ndajmë këtë platformë me miqtë dhe kolegët tanë. Edhe fakti që votojmë mes “pikëz” dhe “pikël” për fjalën “pixel”, apo mes “kujtizë” dhe “gjurmë” për fjalën “cookies”,  tregon se gjuha mund të zhvillohet me argumente, me humor, me dashuri dhe me respekt për përdoruesin. Kjo është demokraci gjuhësore në veprim.

Por nëse duam që frytet e kësaj iniciative të mos mbeten vetëm në nivel entuziastësh online, nevojitet edhe një hap tjetër: përfshirja zyrtare institucionale. Prandaj, kjo është edhe një thirrje e drejtpërdrejtë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si edhe institucionet akademike përkatëse në Maqedoninë e Veriut, së bashku me universitetet dhe departamentet e gjuhësisë, albanologjisë dhe përkthimit. Këto struktura mund të bashkohen me “Shqiptarisht” jo vetëm si mbështetëse morale, por si partnere aktive, duke shqyrtuar rezultatet e platformës, duke vlerësuar propozimet më të suksesshme dhe duke hapur rrugën që fjalët e përzgjedhura të futen në mënyrë zyrtare në fjalorët e shqipes dhe në normat tona drejtshkrimore.

Imagjinoni një proces ku një fjalë që ka lindur si propozim nga një përdorues në një platformë online, kalon më pas në filtrin e gjuhëtarëve, diskutohet në komisione shkencore dhe përfundon duke hyrë në fjalor si pjesë legjitime e gjuhës standarde. Kjo do të ishte një lidhje e re dhe shumë e shëndetshme mes shoqërisë dhe institucioneve që kujdesen për gjuhën.

Në fund, meriton të thuhet me zë të lartë: nismëtarët e “Shqiptarisht” kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ata kanë krijuar një hapësirë ku gjuha jonë mund të zhvillohet në mënyrë të hapur, krijuese dhe të përbashkët. Atë që kanë nisur ata, mund dhe duhet ta vazhdojmë të gjithë ne,  përdoruesit e shqipes në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe kudo në diasporë.

Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Të flasim më shumë shqip, edhe kur flasim për “pixel”-in, për “software”-in apo për botën e pafund të teknologjisë. Të propozojmë, të votojmë, të diskutojmë dhe t’ia japim gjuhës sonë vendin që meriton në epokën digjitale. Dhe le të shpresojmë që shumë shpejt, “pikëza” apo “pikla” jonë e vogël në ekran të jetë zyrtarisht pjesë e fjalorit të madh të gjuhës shqipe.