Hasan Hoxha: Askush nuk është më i skllavëruar se ai që gabimisht mendon se është i lirë  

Hasan Hoxha është një veprimtar i ri i çështjes kombëtare, kauza e tij ngrihet mbi fetë, për ruajtjen e identitetit kombëtar mbi të gjitha. Profesor i historisë dhe autor i shumë teksteve të thukta, ku pikas toni kritik dhe ngritja e debateve dhe këndvështrimeve nga një kënd krejt tjetër. Morë shkas nga data 10 Qershor, për të kujtuar vitin 1878 kur për herë të parë elitat intelektuale dhe forcat ushtarakeu bënë bashkë në të ashtuquajturën Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Për Portalbin Saniu, siç e thërrasin shkurt jep përgjigje për ca pyetje me spec.

Çfarë përfaqëson Lidhja e Prizrenit për shqiptarët?


Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson kohën kur shqiptarët i kishte kapluar gjumi dimëror dhe “Lidhja” thërriste për zgjim nga përgjumja duke bashkuar pendën dhe pushkën, sepse askush nuk është më i skllavëruar se ai që gabimisht mendon se është i lirë. Ajo ishte përpjekje për të rilindur diçka që në masën e madhe analfabete, për të mos thënë kishte vdekur, ishte zbehur si kufomë. Elita intelektuale shqiptare punonte për të zgjuar vetëdijen kombëtare, një sfidë kjo e rëndë për atëbotë. Kështu, çështja shqiptare duhet të niste fillimisht nga brenda dhe pastaj të dëgjohej këmbana nga jashtë për t’i thënë botës që nuk e njihte, se “ne jemi shqiptarë”, sepse kjo mosnjohje nga jashtë vinte nga mosnjohja nga brenda (sulltani).

Ky angazhim zhvillohej në kohën kur delja e bardhë (Shqipëria) ishte në mes të hienave (shteteve fqinje) dhe në barkun e balenës (Perandorisë Osmane) dhe cënohej nga gërshërët e Evropës. Pra, mund të themi se po bënim një luftë kundër botës.

Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Çka mendon se dinë gabim shqiptarët për këtë celulë?

Atë që shqiptarët e dinë gabim është përbërja e “Lidhjes”. Pra, rrymat politike brenda saj. Kështu, brenda “Lidhjes” kishim tre rryma politike; rryma radikale, e moderuar dhe sulltaniste.

Qëndrimi i rrymës radikale:

  • Synonin të themelonin një lidhje e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut;
  • Kërkonin krijimin e një vilajeti autonom si hap drejt pavarësisë;
  • Lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane.

Qëndrimi i rrymës moderuar:

  • Pranohej ideja e një vilajeti autonom shqiptar, por si aspiratë maksimale, madje edhe autonominë e shikonin që të fitohet me pëlqimin e sulltanit, të cilët besonin se do ta bindnin;
  • Nuk ishin për t’iu kundërvënë Perandorisë Osmane.

Pavarësisht kundërthënieve mes radikalëve dhe të moderuarve, u arrit bashkëpunimi për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar.

Qëndrimi i rrymës sulltaniste:

  • Anonin nga vija politike e Perandorisë Osmane;
  • U bashkuan për qëndresë të armatosur, por që duhej të vepronin sipas orientimeve të sulltanit;
  • Nuk ishin për një lidhje shqiptare, por për lidhje islamike (lexo: osmane)

Qëndrimet e rrymës sulltaniste u kundërshtuan nga rryma radikale dhe e moderuar, sepse ishin dora e zgjatur e sulltanit, “agjentë të fshehur pas petkut fetar” – siç shkruante Çerçiz Topulli. E vetmja pikë që i bashkonte sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria për

të luftuar kundër shkëputjes së trojeve. Megjithatë, edhe këtu gjejmë dallim në optikë: rryma radikale dhe e moderuar kundërshtonte shkëputjen e trojeve shqiptare, ndërsa ajo sulltaniste atë të trojeve osmane, përfshirë edhe tokat shqiptare që për ata nuk ishin gjë tjetër veç se toka osmane.

Në çdo qendër që zhvillohej mbledhje popullore, qarqet sulltaniste ushtronin presion për t’i detyruar shqiptarët që t’i nënshkruanin protestat e tyre si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorisë Osmane. Megjithatë, këto presione nuk patën sukses, sepse në të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët myslimanë e të krishterë protestonin si shqiptarë.

Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Çka nuk dinë ose nuk duan të dinë për këtë “Lidhje” shqiptarët?

Më shumë sesa nuk dinë, nuk duan t’ia dinë përplasjen me osmanët për shkak të lidhjes fetare që qysh para 145 viteve Pashko Vasa u mundua ta ndante këtë me maksimën “Feja e shqiptarit asht shqiptaria” duke nënkuptuar se nuk është “Askush mbi Zotin, asgjë para Shqipërisë”, duke i goditur ata që i kanë etnizuar dhe privatizuar fetë, sepse nuk ka Zot që është arabocentrik, turkocentrik, serbocentrik apo grekocentrik.

Centrizmi në fe, si atëherë edhe sot, trumbetohet nga ata që luajnë në kartën e fesë për qëllime hegjemoniste. Kësisoj, fetë janë universale, për të gjithë, dhe monopol i askujt. Vertikalisht qëndrojmë me Zotin, horizontalisht me Shqipërinë ku pa dallim feje, krahine dhe dialekti, dielli ngrohë vetëm shqip. Sa i përket përplasjes së Lidhjes me osmanët janë faktet si vijon:

  1. Serbia në vitin 1878, arsyetohej para evropianëve se Lidhja e Prizrenit dhe aksionet e saja ishin „intriga të Perandorisë Osmane“ dhe se Lidhja nxitej dhe kontrollohej nga vetë qeveria osmane. Pra, kjo është teza serbe përmes së cilës ajo e luftonte Lidhjen në plan ndërkombëtar. Sami Frashëri, në gazetën e tij, u përgjigjet këtyre akuzave me përmendjen e një fakti të vetëm, duke thënë: “Që Porta e Lartë nuk ka gisht në këtë Lidhje, mund të provohet me faktin se ajo ka dërguar një marshall për të ulur zemërimin e shqiptarëve”;
  2. Pushka e parë e Lidhjes Shqiptare krisi kundër Perandorisë Osmane. Ajo krisi tre muaj pas themelimit të saj, në shtator 1878, kur mareshali turk, Mehmet Ali Pashë Maxhari, erdhi në Gjakovë për të kryer, në bazë të vendimit të Kongresit të Berlinit, dorëzimin në favor të Malit të Zi të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë. Meqënëse Porta e Lartë nuk pranoi të hiqte dorë nga dorëzimi i Plavës dhe i Gucisë, Lidhja Shqiptare kaloi në kryengritje, duke vrarë, pa një pa dy, brenda në Gjakovë mareshalin turk me gjithë suitën e tij;
  3. Kërcënimi i Dervish Pashës ndaj shkupjanëve, i cili ndër të tjera thoshte: “Për ata që u nënshtrohen urdhërave të Padishahut, ligjit e rregullave, do të jem i mëshirshëm dhe i mirë. Atyre që nuk dëgjojnë, qofshin myslimanë apo të krishterë, do t’ua djeg katundet dhe do t’ua bëj shtëpiat rrafsh me tokën. Atëherë do t’u zhduk të gjithë dhe gratë dhe fëmijët tuaj do t’i lë në mjerim”;
  4. Ndalimi i flamurit shqiptar. Lidhja e Prizrenit kishte vendosur që shqiptarët të mos identifikoheshin me flamurin osman, siç u ishte imponuar deri atëherë, por që flamuri të cilin do ta bartnin nëpër luftërat e tyre të ishte ai i Skënderbeut, pra shqiponja dy-krenare. Ky informacion bie në vesh të sulltan Abdyl-Hamitit, i cili menjëherë urdhëron Dervish Pashën që të hetoj rastin dhe ta ndaloj përdorimin e atij flamuri. Më 14 shkurt 1881, Dervish Pasha i dërgon letër sulltanit, ku ndër të tjera, i thotë: “Fjalët që qarkullojnë që Lidhja e paska një flamur të veçantë karakteristik, nuk e kam ditur në asnjë vend as që kam dëgjuar deri tani për një flamur të tillë. Perandoria Osmane për flamur të vetin shtetëror e ka zgjedhë simbolin e hënës me yll dhe tjetër flamur nuk mund të pranohet. Ju bëj me dije se nesër do të nisem për në Selanik, kurse pas disa ditësh do të shkoj në viset e Kosovës, dhe do të bëj hetime dhe do të marr të gjitha masat e duhura për qetësimin e gjendjes së atjeshme, kurse nëse ekziston një flamur ose më tepër flamuj të tillë në popull, ata do ti gjej dhe menjëherë do t’ia dërgoj Portës së Lartë”;
  5. Beteja e Slivovës dhe e Shtimes në prill të vitit 1881. Në betejën e Slivovës u vra Mic Sokoli bashkë me disa luftëtarë të tjerë, të cilët u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke dhe të gjithë këta trima së bashku u vranë përpara grykave të topave të Dervish Pashës;
  6. Kur forcat osmane e kishin zënë ideologun e madh, Abdyl Frashërin, duke ikur për në Evropë, Hoxhë Ymer Prizreni, pas këtij momenti emocional i shkruan Dervish Pashës letër kërcënimi: “Do t’i vrasë të gjithë osmanët në rrethinë dhe do t’ua kallë shtëpitë nëse i ndodhë diç e keqe Abdyl Frashërit!” Përveç të keqës që iu krijua kur kuptoi për Abdyl Frashërin, i erdh një lajm edhe më i keq, që osmanët i kishin zënë gruan, gratë e axhës e sidomos edhe vajzën e vet, Ajshen, të cilën e kishin përdhunuar dhe e kishin lëshuar gjysmë të çmendur. Pas disa viteve, të gjithë familjen ia kishin dërguar në Anadoll dhe pasurinë ia kishin konfiskuar.

 

Cilave procese u parapriu LSHP?

Shkrimtarja me origjinë shqiptare, Dora d’Istria (Elena Gjika), duke parë se Fuqitë e Mëdha nuk i përfillnin shqiptarët si subjekt i të drejtave kombëtare, pyeti më 1866 Xhusepe Garibaldin, demokratin e madh italian, përkrahësin e lirisë së popujve të vegjël, se çfarë duhej të bënin shqiptarët për të tërhequr vëmendjen e tyre. Ai u përgjigj në mënyrë të prerë: “Diplomacia evropiane që merret me çështjet e Lindjes, shkruante ai ndër të tjera, nuk dëshironte kryengritje. Por, nëse kryengritja do të ndodhë, nën presionin e opinionit botëror, ajo do t’i përkrahë”.

Udhëheqësit politik shqiptarë të asaj periudhe e përqafuan sentencën e demokratit të shquar italian, veçse nuk u pajtuan me të në lidhje me çështjen se kundër kujt duhej drejtuar kryengritja e armatosur. Garibaldi i këshillonte shqiptarët, të cilët ndodheshin nën sundimin shekullor osman, të ngrinin krye jo kundër Perandorisë Osmane, por kundër Austrisë, sepse Vjena, e cila në atë kohë ishte armike e Italisë, duhej të ishte, sipas tij, në të njëjtën kohë edhe armike e Shqipërisë, – mbasi ajo, Austria, synonte, theksonte Garibaldi, të pushtonte edhe viset shqiptare. Në këtë pikë, rilindësit shqiptarë u treguan më realistë se Garibaldi, mbasi për ta armiku kryesor ishte sunduesi shekullor osman. Gjithnjë sipas tyre, ai që rrezikonte të nesërmen e Shqipërisë pas çlirimit të saj nga zgjedha osmane, nuk ishte Austria, por ishin Serbia dhe Greqia, prapa të cilave qëndronte Rusia cariste.

Pikërisht për të ndërmarrë veprime revolucionare sipas stilit garibaldian, por në një tjetër drejtim, qarqet politike shqiptare organizuan, në kohën e krizës lindore, më 10 qershor 1878, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Jo pa qëllim, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua tri ditë përpara se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878), i cili do të vendoste hartën e re politike të Evropës Juglindore, pasi Perandoria Osmane u mund nga Perandoria Ruse dhe më 3 mars 1878 u nënshkrua Marrëveshja e Shën Stefanit, sipas së cilës shkëputej pjesa më e madhe e zotërimeve osmane në Ballkan, madje më shumë se gjysma e tokave shqiptare u jepej shteteve sllave të Ballkanit. Jo më kot, Abdyl Frashëri, shkruante se “Me Traktatin e Shën Stefanit neve e kuptuam se lirinë nuk ta falë kurrkush, se lirinë duhet ta fitojmë vetë, me gjak”.

Traktati i Shën Stefanit, përveç shqiptarëve, kundërshtimin më të rreptë e pati edhe nga Anglia e Austro-Hungaria. Anglia, sepse ishte për ta mbajtur në këmbë Perandorinë Osmane që ta përdorte si barierë kundër çizmës ruse dhe Austro-Hungaria, e cila ishte për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por ishte kundër krijimit të një shteti të madh sllav, prandaj dëshironte krijimin e një shteti shqiptar që ta përdorte si barierë kundër Serbisë, e cila dëshironte t’i lagte këmbët në adriatik. Për këto arsye u vendos që Traktati i Shën Stefanit të rishikohet nga një kongres i Fuqive të Mëdha në Berlin më 13 qershor 1878. Megjithatë, shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, përsëri nuk do t’i merrnin parasysh interesat e Shqipërisë. Nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar më herët Komiteti i Stambollit nga Perandoria Osmane për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund me kundërshtim. Perandoria Osmane kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit si myslimanë, kurse patriotët shqiptarë nuk u pajtuan me këtë dhe vendosën të formojnë lidhjen shqiptare.

Në këtë situatë alarmante, kur shqiptarët krijuan Lidhjen, kërkuan bashkimin e katër vilajeteve shqiptare dhe autonominë e saj si hap drejtë pavarësisë, me qëllim që të nënvizoheshin kufijtë e Shqipërisë që t’i njihte bota dhe pasi të shkatërrohej Perandoria Osmane të mos shkatërroheshim edhe ne bashkë me të si mbetjet osmane e të të sëmurit të Bosforit. Megjithatë, këto kërkesa nga sulltani nuk u pranuan kurrë.

Pra, Lidhja Shqiptare e Prizrenit kërkonte bashkimin e zemrave (katër vilajeteve) dhe fejesë (autonomi) si hap drejtë martesës (pavarësisë), por Perandoria Osmane nuk e kurorëzoi (pranoi) këtë kërkesë. Për rrjedhojë, ne po e vuajmë edhe sot këtë dashuri (Shqipëri). Më tej, Abdyl Frashëri, i cili kishte shkuar në Kongresin e Berlinit së bashku me Mehmet Ali Vrionin si përfaqësues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur i parashtruan kancelarit gjerman, Otto Von Bismarck, të drejtat shqiptare në Epir, kancelari i hekurt, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i Kongresit të Berlinit, pasi i dëgjoi me vëmendje, i pyeti dy delegatët shqiptarë: “Ku i keni veprat e shkruara për Epirin?” Pasi mori përgjigjen se në kushtet e sundimit shekullor osman dhe të prapambetjes, shqiptarët nuk kishin pasur mundësi të botonin studime për interesat e tyre kombëtare, – Bismarcku i dha fund bisedës, duke i këshilluar dy delegatët shqiptarë: “Shkoni dhe shpenzoni disa kilogramë ngjyrë duke shkruar vepra mbi historinë tuaj dhe mbi të drejtat tuaja kombëtare, pastaj trokisni në dyert e Fuqive të Evropës”. Kështu, interesat shqiptare nuk u përfaqësuan as në Kongresin e Berlinit.
Shtrohet pyetja, po Lidhja pse dështoi dhe u shtyp? Për këtë ka një sërë arsyesh si vijon;

  1. Shqiptarët u vunë midis tre zjaresh: nga toka, nga zjarri i armatave osmane, të cilat sulmuan nga lindja; nga veriu, nga presioni i ushtrive të shteteve fqinje, kurse nga perëndimi, nga flota ushtarake ndërkombëtare, e cila u ankorua në ujërat shqiptare;
  2. Komiteti i Shkupit, në krye me Jashar bej Shkupin, ishte fajtor sepse për dallim nga qytetet e tjera të Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit dhe nuk pengoi futjen e forcave osmane dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës. Më 23 mars 1881, Ibrahim Pasha thirri në selin e tij 11 anëtarët e Komitetit të Shkupit, të cilët i arrestoi. Kështu, më 7 prill 1881 arriti Dervish Pasha në Shkup, i cili vendosi shtabin e vet;
  3. Rryma e moderuar ishte fajtore sepse Plava e Gucia, pastaj Hoti e Gruda, nuk jepeshin për shkak që deri atëherë rryma e moderuar nuk kishte dezertuar, dhe kur ata dezertojnë në mbrojtjen e Ulqinit, vetëm atëherë Ulqini i dorëzohet malazezëve, dhe e njëjta edhe me grekët, ku deri sa rryma e moderuar nuk kishte dezertuar, ende ishte brenda Lidhjes, Epiri nuk i jepej Greqisë. Pra, rryma e moderuar, kur dezertuan, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur atij besnikërinë e tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së Prizrenit. Po kështu, Dervish Pasha u kërkoi të nënshkruanin Aktin e Pendesës ku dënohej Lidhja Shqiptare.

Aty erdhën rryma sulltaniste dhe rryma e moderuar, si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dërralla dhe Esat pashë Tetova, të cilët e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom.

Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Foto nga arkivi i faqes Lidhja Shqiptare e Prizrenit

“Lidhja është gjallë”, po ç’ka vdekur?

Lidhja është një gjë e shkuar që nuk shkon, prandaj ajo është e gjallë deri kur të realizohet programi i tërësishëm i Lidhjes sepse ajo ka lënë gjurmë të thella në memorien e popullit shqiptar. Frytin që e ka lënë Lidhja, na e thotë vetë Abdyl Frashëri nëpërmjet një parabole, të cilën e kemi lexuar në një raport të konsullit grek në Manastir. Kur Abdyli, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në pranverë të vitit 1881, u arrestua dhe i shoqëruar nga xhandarët, i lidhur me pranga, i rraskapitur nga udhëtimi në këmbë që nga Elbasani deri në Manastir, i dërrmuar nga fyerjet që i drejtonin xhandarët turq, hyri në rrugët e Manastirit, u ndesh ballë për ballë me konsullin grek, me të cilin dikur kishte pasur debate rreth dobisë ose kotësisë së luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kur konsulli e pa personalitetin shqiptar në atë gjendje të mjeruar, e pyeti: “Çfarë bëre me idetë e tua?” Por Abdyl Frashëri, si kurdoherë krenar, iu përgjigj: “Si mund t’i thuash bujkut çfarë bëre kur mbjell farën në arë? Sot fara nuk duket, por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet!”

Shqiptarët jashtë kufijve politik të Shqipërisë Londineze, jemi shqipëritë e lëna jashtë Shqipërisë, prandaj më shumë se “për dëshmorët e së djeshmes, duhet të flasim për dëshmorët e së nesërmes” – siç shkruante Perikliu dikur. Pra, nëse Serbia dhe jo vetëm, kërkon një Holokaust të Tretë, ne duhet ta bëjmë Nëntorin e Tretë. Sigurisht, kjo duhet të fillojë nga arsimimi shqip i nxënësve tonë, i cili nuk nënkupton vetëm ligjerimin shqip, por kuqezimin e tyre. Ata duhet t’i gdhendim, t’i farkëtojmë dhe t’i kuqeziojmë.

Kësisoj, nëse përdorim një alegori, mund të them që, nëse një fëmijë e ndanë nga nëna e tij, e bën jetim, dhe ai kur të rritet e kupton se “nënën” që e ka në shtëpi, nuk është nëna e tij biologjike, por njerka, ky jetim sërish do ta kërkojë nënën e tij biologjike, me të cilën e ka ndarë dikush dikur padrejtësisht. Kush mundet t’ia ndalojë këtij jetimi përpjekjen për ta gjetur nënën biologjike dhe për t’u bashkuar me të? Kështu, në dioptrinë kombëtare, nëna biologjike është ‘Shqipëria’; Jetimi, jemi ne ‘shqipëritë e lëna jashtë Shqipërisë’; Njerka(t) janë ‘shtetet që janë krijuar mbi tokat shqiptare’; Ajo që e ndau padrejtësisht fëmiun nga nëna biologjike është ‘Evropa’; dhe Përpjekja për t’u bashkuar me nënën biologjike, jemi ne, ‘gjenerata e re’.

Kush nuk mendon kësisoj, le ta kërkojë macën e zezë në dhomën e errët, sepse qëllimi ynë – siç shkruan Faik Konica, është: “Ne, shqiptarët e anës kombëtare, nuk kemi tjetër mendim përveç ta heqim Shqipërinë nga balta. Kërkojmë të jetojë kombi ynë me gjuhë të tij, me mendime e me nder të tij. Sa shqiptarë janë të ndershëm, do të mbajnë të gjithë me anën kombëtare. Ata që janë zuzarë, shpirtrobër e bij kurvash, le të mbajnë më anët e tjera.”