Besimi paralajmëroi se nga nesër do të rritet TVSH-ja në rrymë nga 10 në 18 përqind

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, ka konfirmuar sot se qeveria nuk ka ndërmend të mbajë taksën ekzistuese të TVSH-së prej 10 përqind për faturat për energjinë e konsumuar për amvisëri dhe për konsumatorët e vegjël. Kjo do të thotë se nga nesër TVSH-ja do të rritet nga 10 në 18 për qind, transmeton Portalb.mk.

Besimi thotë se rritja e normës së TVSH-së nuk do të prekë shumicën e konsumatorëve, gjegjësisht ata që konsumojnë më pak energji elektrike do të kenë fatura më të ulëta, duke marrë parasysh blloktarifat e ndryshme.

“Në fakt, nëse shikoni efektin neto, TVSH-ja nuk do të jetë nga 10 në 18%, por në grupe të ndryshme do të jetë më e ulët. Madje mund të mos ketë fare rritje të çmimeve”, tha ministri i Financave – Fatmir Besimi.

Ai shpjegoi se ulja e TVSH-së është bërë si një fazë në përballimin e krizës energjetike duke e ulur atë nga 18 në 5 për qind. Më pas, kjo taksë për faturat e energjisë elektrike u rrit në 10 për qind dhe u zgjat rimbursimi i TVSH-së fillestare prej 18 përqind, por vetëm deri në qershor të këtij viti.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit, Marko Bislimovski, ditëve të fundit ka sqaruar se kthimi i TVSH-së për energjinë elektrike nga 10 në 18 përqind do të nënkuptonte rritje të faturës finale prej 2.5 përqind të amvisërive me konsum mesatar mujor të energjisë elektrike.

Vetë familjet dhe konsumatorët e vegjël janë të ndarë në katër blloqe, sipas vëllimit të konsumit të energjisë elektrike. Kështu, para disa ditësh Bislimovski sqaroi se çmimi total i energjisë elektrike në bllokun e parë me tarifë të llogaritur të energjisë dhe rrjetit ulet për 7 përqind, ndërsa në bllokun e dytë ulet për 4 përqind. Përkundrejt kësaj, çmimi i energjisë elektrike në bllokun e tretë do të rritet me 2.5 përqind dhe në bllokun e katërt, që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike, nga 1 korriku do të paguajnë fatura më të larta me 2.4 përqind.