Grubi: Rekonstriumi i tërësishëm i tunelit në rrugën Shkup – Bllacë duhet të përfundojë në tetor

Rekonstriumi i tërësishëm i tunelit në rrugën Shkup – Bllacë (kufiri me Kosovën), duhet të përfundojë në muajin tetor këtë vit, njoftoi zëvendërskryeministri Artan Grubi përmes një postimi në Facebook, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me radhët e gjata që krijohen në këtë pjesë, Grubi ka fajësuar qytetarët e pandërgjegjshëm dhe fluskin e shtuar të trafikut.

“Rekonstruimi i plotë i pjesës tjetër të rrugës ka përfunduar. Për fat të keq, për arsye të mosrespektimit të sinjalistikës rrugore në tunel nga individë të papërgjegjshëm, por edhe nga fluksi shumë i shtuar i trafikut, po krijohen rradhë të gjata të veturave. Pas reagimeve dhe kërkesave të shumë qytetarëve, mbrëmë dhe sot, ndermarrja e rrugëve zhvilloi biseda me realizuesin e punimeve dhe mbikqyrësin. Asfaltimi i njërës korsi të tunelit përfundon ditën e hënë”, ka shkruar Grubi.

Ai ka shtuar se, po shqyrtohet mundësia që nga dita e martë, të ndërpriten punimet në korsinë tjetër për të mundësuar trafik të pandërprerë në të dy korsitë gjatë muajit gusht në mënyrë që të shmangen rradhët e gjata gjatë sezonit turistik dhe fluksit të shtuar të makinave.

“Punimet në tunel do të vijojnë në shtator dhe afati i përfundimit gjithashtu spostohet”, shkroi Grubi.