Gostivari gati për spektaklin e verës: Noizy, Dhurata Dora, Lumi B dhe shumë të tjerë në “The Park Music Festival”

Gostivari më 16 gusht do të jetojë një nga netët më të mëdha muzikore të kësaj vere. “The Park Music Festival” rikthehet me edicionin e tetë, duke sjellë nprogram ku do të performojnë disa këngëtarët më të kërkuar, transmeton Portalb.mk.

Në skenë do të ngjiten disa prej emrave më të dashur të muzikës shqiptare. Noizy me bend, Dhurata Dora, Lumi B dhe David Dreshaj do të jenë pjesë e mbrëmjes që pritet të tërheqë mijëra të rinj nga Gostivari, qytetet e tjera dhe diaspora.

Do të performojnë edhe Era, Guapo, Nikk dhe DJ Ginger.

Nga organizatorët presin interesim të madh të publikut, ndërsa Jeton Veseli nga “The Park Festival”, në një prononcim për Portalb.mk, ka paralajmëruar një edicion që synon të mbahet mend gjatë.

Veseli e ka cilësuar këtë edicion si “një nga më të veçantët” që kanë realizuar, ndërsa një prej pikave kulmore pritet të jetë pikërisht paraqitja e Noizyt me bend, një format në të cilin reperi shqiptar performon rrallë.

Sipas Veselit, Noizy ka pranuar ftesën për të sjellë një show energjik prej 60 minutash, ndërsa Dhurata Dora rikthehet para publikut të Gostivarit me projektet e saj më të reja. Për Lumi B, organizatorët presin sërish energjinë që e ka karakterizuar edhe në paraqitjet e mëparshme në festival.

Por “The Park Music Festival” nuk është vetëm një natë me emra të mëdhenj. Që nga fillimet e tij në vitin 2018, festivali është rritur nga viti në vit, duke u shndërruar në një platformë që bashkon muzikën, argëtimin dhe promovimin e artistëve të rinj.

Një element që, sipas Veselit, e bën festivalin krejtësisht ndryshe është edhe vetë lokacioni. Parku i Qytetit në Gostivar, i rrethuar nga gjelbërimi dhe natyra, krijon një atmosferë që vështirë mund të përsëritet në një sallë apo shesh tradicional.

Interesimi pritet të jetë i madh jo vetëm nga Gostivari, por edhe nga qytetet e tjera, Kosova dhe diaspora që gjatë gushtit qëndron në vendlindje.

“The Park Music Festival”, gjatë viteve është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme verore në Gostivar. Përveç emrave të njohur, festivali vazhdon të jetë edhe një hapësirë për promovimin e artistëve dhe talenteve të reja vendase.

Edicioni i këtij viti pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë deri më tani, veçanërisht në një periudhë kur Gostivari është i mbushur edhe me bashkatdhetarë që pushimet verore i kalojnë në vendlindje.

Biletat për “The Park Music Festival” mund të sigurohen online përmes mktickets.mk.

Festivali këtë vit ishte planifikuar të mbahet me 28,29 dhe 30 korrik por u shty për më 16 gusht për shkak të epidemisë në Gostivar.