E gjithë Ministria e Brendshme sërish pa sigurim shëndetësor, policët kthehen nga kimioterapia dhe procedurat diagnostikuese
Që nga dje, të gjithë të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë mbetur pa sigurim shëndetësor. Punonjësit janë kthyer edhe nga kimioterapia, procedurat diagnostikuese dhe laboratorët, me arsyetimin se duhet ose t’i paguajnë shërbimet privatisht, ose të presin derisa të rregullohet gjendja, raporton Slloboden Peçat.
Prej kohësh, në sistemin e MPB-së ekziston problem sistemik që herë pas here u shkakton probleme të punësuarve dhe bën që ata të “mbeten” pa sigurim shëndetësor.
Kështu, në fund të qershorit të këtij viti, për shkak të një numri amë të gabuar të një polici të rikthyer në punë me vendim gjyqësor, u ndërpre sigurimi shëndetësor për të gjithë të punësuarit në MPB.
Me fjalë të tjera, nëse bëhet një gabim në të dhënat e një të punësuari, sigurimin shëndetësor përkohësisht e humbin të gjithë të punësuarit.
Kjo situatë zgjat prej një periudhe më të gjatë, për shkak gabimit teknik, sistemi bllokohet për të gjithë pjesëtarët e policisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Lidhur me këtë ka reaguar Sindikata e Pavarur e Policisë e cila thotë se htë e papranueshme të mos kenë sigurim shëndetësor.
“Konsiderojmë se situata të tilla janë të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten në FSSH të RMV-së, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurimin shëndetësor të punonjësve të policisë. Gjatë ditës, Sindikata e Pavarur e Policisë do të përgatisë dhe dorëzojë një shkresë te ministri i Punëve të Brendshme, nga i cili do të kërkojmë ndërhyrje urgjente në FSSH, me qëllim që problemi të tejkalohet në afatin më të shkurtër të mundshëm dhe të sigurohet një zgjidhje e përhershme, në mënyrë që të mos përsëritet në të ardhmen”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se problemi me sigurimin shëndetësor të të gjithë të punësuarve nuk është shkaktuar nga ana e tyre dhe udhëzuan që përgjigjet t’i kërkojmë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
“Pas kontrolleve të kryera në njësitë organizative kompetente, është konstatuar se problemi me sigurimin shëndetësor nuk është shkaktuar nga ana e MPB-së. Me pagesën e pagës për muajin korrik 2026, të gjitha kontributet për të punësuarit e regjistruar në MPB janë paguar rregullisht. Për informacione shtesë lidhur me statusin e sigurimit shëndetësor, duhet t’i drejtoheni Fondit për Sigurim Shëndetësor”, thanë nga MPB.
Siç raporton gazeta, burime nga Fondi për Sigurim Shëndetësor thonë se edhe këtë herë një nëpunës policor është rikthyer në punë me vendim gjyqësor, për çka kontributet e tij do të regjistrohen në sistem gjatë ditës së sotme. Pas kësaj, sërish të gjithë të punësuarit në MPB do të kenë sigurim shëndetësor.