Gjysma e komunave në RMV, prej tre vitesh nuk kanë lidhur tender për shënjimin e vendkalimeve për këmbësorë

Vendkalimet për këmbësorë të zbehura dhe pothuajse të padukshme në të gjithë vendin nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e mënyrës se si komunat i zbatojnë prokurimet për shënjimin e tyre, tregon analiza e tenderëve të realizuar nga Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ). Analiza tregon se pjesa më e madhe e komunave nuk kanë zhvilluar fare prokurime për të ashtuquajturën sinjalistikë horizontale në rrugë gjatë tre viteve të fundit, ndërsa në shumë raste kur realizohen prokurime të tilla nuk vendosen kritere të qarta për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e bojës me të cilën shënohen vendkalimet për këmbësorë, transmeton Portalb.mk.

“Studimi zbulon se për më shumë se gjysmën e njësive të vetëqeverisjes lokale, konkretisht për 46 nga 81 komuna, në sistemin elektronik nuk figuron asnjë tender për sinjalistikë horizontale në periudhën 2023–2025. Kjo do të thotë se, sipas sistemit, gjatë tre viteve radhazi nuk kanë pasur tenderë për shënjimin e vendkalimeve për këmbësorë, shtigjeve të biçikletave dhe shenjave të tjera në rrugë. Në këto komuna pa asnjë tender për shënjimin e rrugëve jetojnë 560 mijë banorë. Kjo praktikë nuk është e kufizuar vetëm në komunat e vogla rurale, por përfshin edhe komunat e dendura të Shkupit si Aerodrom, Çair, Butel dhe Saraj, ku trafiku i dendur e bën sinjalistikën horizontale të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion”, thuhet në analizën e Qendrës për Komunikime Qytetare.

Por ekzistenca e një tenderi, në vetvete, nuk garanton sinjalistikë të rregullt në terren. Në shumë komuna që kanë blerë rregullisht bojë ose kanë angazhuar kompani për shënjimin, në terren vërehen vija të zbehura ose pothuajse të padukshme në rrugë. Analiza e dokumentacionit të tenderëve zbulon se vetëm një pjesë e komunave përcaktojnë standarde dhe karakteristika konkrete për bojën, ndërsa në një numër të madh komunash specifikimi teknik reduktohet vetëm në dy fjalë, “bojë për rrugë”, pa asnjë kriter të matshëm për cilësinë.

“Komunat më të vogla, si Berova, Resnja dhe Kriva Pallanka, kanë pasur tender çdo vit gjatë periudhës së analizuar, në dallim nga komunat me popullsi dhe komunikacion dukshëm më të madh, të cilat kanë bërë shënjime vetëm një ose dy herë në të njëjtat tre vite. Analiza e çmimeve për njësi zbulon dallime çmimesh deri në katër herë. Boja është blerë me çmime nga 132 deri në 296 denarë për një kilogram, ndërsa çmimet për shërbimet e shënjimit me bojë të bardhë dhe perlit qelqi variojnë nga 281 deri në 802 denarë për metër katror”, tregon analiza.

Përveç dallimeve në frekuencën e shënjimit, komunat nuk kanë një qasje të unifikuar as kur zhvillojnë prokurime publike për sinjalistikë horizontale. Në disa komuna punën e kryen ndërmarrja publike lokale me mekanizimin e saj dhe blen vetëm bojën dhe materialet e tjera harxhuese. Në komuna të tjera, përmes një tenderi kërkohet shërbim i plotë nga kompani private – si për shënjimin ashtu edhe për bojën, ndërsa në disa të tjera blerja e bojës dhe shërbimi për shënjimin janë objekt i procedurave të veçanta. Kjo mungesë standardizimi e pamundëson krahasimin mes të gjitha komunave dhe e vështirëson mbikëqyrjen.

Dallimet e mëdha në çmime, të cilat nuk mund të shpjegohen me karakteristikat teknike dhe standardet e kërkuara për bojën, pjesërisht mund të shpjegohen me sasitë e blera. Konkretisht, NP “Rrugët dhe Rrugicat” Shkup ka blerë 30.000 kilogramë bojë, prandaj është e kuptueshme që këto sasi të mëdha kanë ndikuar në çmim. Megjithatë, nga shtatë institucionet e përfshira në këtë renditje, vetëm tre kanë shënuar sasitë, përkatësisht, përveç ndërmarrjes publike të Shkupit, Ndërmarrja Publike për Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Hapësirës Publike për Parkim dhe Rregullimin dhe Organizimin e Transportit Publik Lokal të Udhëtarëve në Komunën e Manastirit dhe NP “Plavaja” Radovish. Ndërmarrja publike e Manastirit ka blerë 15.000 kilogramë bojë të bardhë, ndërsa “Plavaja” 600 kilogramë. Ndërmarrjet e tjera nuk kanë shënuar sasitë, gjë që në fakt paraqet veprim të parregullt, pasi nuk u mundëson kompanive të kenë pasqyrë të qartë kur përcaktojnë çmimet e tyre.

Duke pasur parasysh se çdo komunë ose ndërmarrje publike që ka blerë bojë ka blerë edhe perlit dhe hollues, për të krijuar një pasqyrë më të qartë është përllogaritur edhe çmimi i përbashkët për këto tre produkte. Rezulton se ka ndryshime të vogla, por vendi i parë dhe i fundit mbeten të pandryshuara. Shpenzimet e NP “Rrugët dhe Rrugicat” Shkup janë më të ulëtat dhe arrijnë në 358 denarë për një kilogram bojë të bardhë, një kilogram perlit dhe një litër hollues, ndërsa shpenzimet më të larta i ka NP “Stipion” Shtip me 583 denarë.

Nga 18 komunat dhe ndërmarrjet publike që kanë zhvilluar tender për blerjen e shërbimit të shënjimit të vendkalimeve për këmbësorë dhe shenjave të tjera në rrugë, në plot 11 komuna (Berovë, Kriva Pallankë, Dellçevë, Gazi Babë, Kisella Vodë, Prilep, Sopishtë, Tetovë, Dibër, Resnjë dhe Gjorçe Petrov) nuk është dhënë asnjë përshkrim për bojën që duhet të përdoret, përkatësisht më së shpeshti përdoret termi “bojë për rrugë”. Kjo do të thotë se zbatuesi mund të përdorë çfarëdo lloj boje dhe formalisht ta përmbushë kontratën, pa asnjë përgjegjësi për sa kohë do të zgjasin vijat në rrugë.

Me qëllim që të sigurohet krahasueshmëria e të dhënave, komunat që kanë përdorur shërbime nga kompani private për shënjimin e rrugëve janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë përfshin komunat që kanë kërkuar vetëm përdorimin e bojës gjatë shënjimit, ndërsa grupi i dytë ato ku është kërkuar përdorimi i bojës dhe perlitit.

Te shënjimi me bojë dhe perlit qelqi, çmimet variojnë nga 281 deri në 802 denarë për metër katror. Kjo paraqet një dallim prej pothuajse katër herësh mes Komunës së Petrovecit dhe Komunës së Gostivarit. Në çmimin e Komunës së Petrovecit është përfshirë edhe pastrimi i rrugëve para shënjimit, pasi kjo detyrë e kompanive do të paguhet veçmas.

Te shënjimi vetëm me bojë, çmimet variojnë nga 152 deri në 378 denarë për metër katror. Në fund të listës është Berova, ndërsa në krye Komuna e Ilindenit. Edhe pse dallimi ndërmjet çmimit më të ulët dhe atij më të lartë është 149 përqind, përkatësisht çmimi më i lartë është dy herë e gjysmë më i madh. Komuna e Ilindenit, e cila ka çmimin më të lartë prej 378 denarësh për metër katror për shënjimin e vendkalimeve për këmbësorë, kërkon që operatorët ekonomikë detyrimisht të dorëzojnë certifikatë cilësie (atest) për bojën e rrugëve që ofrojnë, por nuk i referohet ndonjë standardi konkret që garanton cilësinë e bojës.

Kujtojmë se në fillim të qershorit, Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”. Janë analizuar raste konkrete të procedurave tenderuese potencialisht të paligjshme, në të cilat kujdesi për paratë publike nuk ka qenë prioritet. Këto raste janë identifikuar përmes analizës së gjetjeve nga treguesit e rrezikut (“flamujt e kuq”) që zbaton Byroja për Prokurime Publike, përmes hulumtimeve të bazuara në informacione publike, si dhe përmes konsultimeve me qytetarët.